Tre punonjës të shoqërisë Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë dërgohen në gjyq për favorizimin e një shoqërie për të fituar një tender me vlerë 143.6 milionë lekë megjithëse nuk përmbushte një prej specifikimeve të kërkuara, ndërsa administratori i operatorit ekonomik përfitues është marrë i pandehur për falsifikim.
BIRN
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të enjten më 9 maj përfundimin e hetimeve paraprake ndaj tre punonjësve të “Ujësjellës Kanalizime” sh.a., dega Tiranë, në varësi të Bashkisë së Tiranës, të cilët akuzohen se në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave dhe të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, kanë skelur barazinë e pjesëmarrësve në një tender me vlerë më shumë 143.6 milionë lekë pa TVSH, me objekt “Blerje kimikate dhe karbon aktiv për UKT sh.a.”.
“Ata akuzohen se gjatë procedurës së shqyrtimit të ankesave kanë ndryshuar njërin nga specifikimet, që kishte të bënte me sigurimin në listëpagesa të një punonjësi manovrator të mjeteve të rënda (duke e hequr si kërkesë), për qëllime të favorizimit të shoqërisë ‘W Center' sh.p.k, me numër nipti K63029402A, me ortak e administrator të pandehurin Bledar Shemaj. Më pas gjatë vlerësimit të ofertave e kanë kualifikuar këtë shoqëri pavarësisht se nuk përmbushte njërin nga specifikimet e kërkuara, atë të pasjes nga ana e manovratorit të mjeteve të rënda të një leje drejtimi të vlefshme”, citohet në njoftimin e SPAK.
Në cilësinë e të pandehurit është marrë dhe administratori i shoqërisë që ka fituar tenderin, Bledar Shemaj, i cili akuzohet për falsifikim. Sipas SPAK, Shemaj, akuzohet se ka paraqitur në këtë procedurë prokurimi një kontratë pune duke paraqitur rrethana të rreme mbi punësimin e shtetasit Q.M në shoqërinë e tij, si manovrator i mjeteve të rënda. Për këtë specifikim ka rezultuar se ka patur ankesa nga ana e operatorëve të tjerë. Po ashtu, ka paraqitur rrethana të rreme në deklaratën e plotësuar prej tij si dokument standard mbi kontratat e paraqitura për marrjen me qira të mjeteve me të cilat do të kryente shërbimet, ndërkohë që ka rezultuar se shërbimi është kryer duke përdorur mjete që i'u përkasin shoqërive të tjera.
SPAK ka depozituar në gjykatë kërkesën për gjykimin e këtyre të pandehurve./Syri.Net