Partia Demokratike thotë se ka përgatitur një padi për të kërkuar hetimin pasuror ndaj deputetit socialist Fatmir Xhafaj, ish-ministër i Brendshëm.
Padia do dorëzohet në SPAK dhe i referohet faktit se vëllai i ligjvënësit është dënuar për drogë në Itali dhe duhet t’i nënshtrohet verifikimit procedurial sipas ligjit.
Nisma vjen menjëherë si “hakmarrje” e PD-së ndaj Xhafajt, një ditë pasi Apeli i Tiranës la në fuqi dënimin e shkallës së parë per denimin me 1 vit burgim, me veprën penale “kallëzim i rremë” në dosjen “Babale”, të deputetit demokrat Ervin Salianji, që pritet të arrestohet nga momenti në moment sot (27 Shtator).
Edhe vetë Salianji e kishte paralajmëruar më herët se do bënte padi ndaj Xhafajt, pasi kishte vëllanë e dënuar për drogë. Deputeti i dënuar tashmë nga drejtësia me 1 vit burg, e konfirmoi edhe në konferencën për shtyp që po mban sot me gazetarët, para se Policia të ekzekutojë urdhrin e Prokurorisë për burgosje.
Salianji tha se mes atyre që e ka firmosur padinë është edhe ai.
"Si e kam paralajmëruar dhe gjatë javës sapo kam firmosur fillimin e hetimit pasuror në cilësinë e nënkryetarit të grupit ndaj shtetasit Fatmir Xhafaj me detyrë deputet dhe i është drejtuar kreut të SPAK Altin Dumanit", tha ai.
Sipas PD-se, Fatmir Xhafaj është subjekt i Ligjit Antimafia dhe do të kërkojë fillimin e hetimit pasuror./Shqiptarja