Ushtria izraelite njoftohet se ka bombarduar gjatë gjithë natës shumë rajone të Rripit të Gazës.
Në lajmin e agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA thuhet se Izraeli ka vazhduar në ditën e 217-të sulmet e tij kundër Rripit të Gazës.
"Avionët izraelitë bombarduan shumë vendbanime në qytetin e Gazës", thuhet në lajm dhe theksohet se janë nxjerrë trupat e pajetë të tre personave dhe pesë të plagosurve nga një shtëpi që u bombardua në rrugën Yarmouk në qytet.
Po ashtu bëhet e ditur se gjashtë persona u plagosën në një shtëpi që u shënjestrua nga Izraeli në rrugën Al-Nafaq në qytetin e Gazës, ndërsa informohet se avionët luftarakë izraelitë bombarduan shumë shtëpi në Al-Zaytoun, Sabra, Nasr, Tal Al-Hawa dhe kampin e refugjatëve Al-Shati.
Ushtria izraelite ka kryer sulme gjatë orëve të natës edhe ndaj qytetit Rafah në jug të Rripit të Gazës dhe me sulme ajrore është shënjestruar kampi i refugjatëve Nusseirat në pjesën qendrore të Rripit të Gazës./aa