Maqedonia e Veriut është një ndër shtetet me normat më të larta të ekonomisë informale në Evropë, që i kushton arkës së shtetit rreth 700 milionë euro në vit nga tatimet e papaguara, ose 21,3 % e ekonomisë së përgjithshme të vendit. Mbi 80 mijë njerëz punojnë në sektorin joformal, kryesisht në bujqësi, ndërtim dhe tregti.
Sektori i ndërtimit përbën 16% të ekonomisë gri të Maqedonisë së Veriut. Edhe pse përqindja e ekonomisë gri në ndërtim është e lartë, më shumë se gjysma e punonjësve informalë bëjnë pjesë në sektorin e bujqësisë dhe punonjësit e papaguar të familjes, por analizat tregojnë për një normë në rritje të ekonomisë gri në tregti, hotelieri dhe turizëm.
Sjellja e qytetarëve dhe kompanive është një nga arsyet se pse ekonomia gri mbetet në nivel të lartë me vite të tëra, ndërsa nga ana tjetër një arsye është edhe toleranca e lartë e politikëbërësve që nuk luftojnë kundër ekonomisë gri.
Sipas statistikave përmbledhëse të MAK-STAT numri i punonjësve në ekonominë gri viteve të fundit ka rënë, por vazhdon të mbetet i lartë. Në vitin 2022 informalisht ka punuar 11,8 përqind e popullatës së aftë për punë, që është dy herë më pak krahasuar me 28,6 përqind në vitin 2008.
Kreu i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM) thotë se ekonomia informale është një “plagë e hapur”, e cila e privon thesarin e shtetit nga qindra milionë si pasojë e kontributeve të papaguara të sigurimeve sociale.
Rritja e pagave duhet të jetë një nga mënyrat për ta luftuar punën e padeklaruar apo të nëndeklaruar, si dhe inspektimet e shtuara në aktivitetet ku kjo ndodh më shpesh, si në hotelieri, turizëm, ndërtim e tregti./Scan