Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Alfred Balla, tha sot se Reforma në Drejtësi i mundësoi prokurorit të jetë i pavarur dhe i pandikuar nga politika.
I pranishëm në mbledhjen e përbashkët vjetore të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë me rastin e 111-vjetorit të Ditës së Drejtësisë, mbështetur nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Projekti EU4Justice, Balla theksoi se sfidë mbetet plotësimi i vakancave. Ai tha se Reforma në Drejtësi ka ardhur si një nga kushtet kryesore të rrugëtimit të Shqipërisë drejt integrimit në BE, për një sistem drejtësie të pavarur dhe që respekton të drejtat e njeriut.
“Aktualisht, me ndryshimet ligjore që solli paketa e reformës në drejtësi, prokurori është i pavarur dhe i paanshëm dhe i lirë nga çdo presion dhe ndikim politik i panevojshëm. Garantë për këtë janë KLP dhe Kushtetuta. Këshillat (KLP dhe KLGJ) kanë hyrë në vitin e gjashtë të punës së tyre. Koha në dispozicion e drejtësisë së re ka qenë e paktë, por tani mund të identifikohet se çfarë është bërë mirë dhe çfarë mund të përmirësohet”, tha Balla.
“Aktualisht prokuroritë dhe gjykatat po përballen me disa sfida, që kemi për detyrë t’i shohim konkretisht. Sfidë është çështja e vakancave të shkaktuara nga Vetingu, dhe do duhen disa vite për të plotësuar të gjitha mungesat në sistem. Sfidë është konsolidimi i organeve të reja të drejtësisë. Sfidë është rritja e cilësisë së shërbimeve, qoftë penale, civile apo administrative. Sfidë është kontrolli mbi gjyqtarët dhe prokurorët për të garantuar karrierën e tyre sipas meritës dhe sfida më e rëndësishme kthimi i besimit të qytetarëve tek drejtësia”, tha ndër të tjera Balla./ata