Kryetarja në detyrë e Prezencës së OSBE-së, Clarisse Pasztory mori pjesë sot në mbledhjen e përbashkët vjetore të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë me rastin e 111-vjetorit të Ditës së Drejtësisë, mbështetur nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Projekti EU4Justice.

Në fjalën e saj Pasztory theksoi se “çdo rast korrupsioni, mosndëshkimi dhe joefikasiteti minon besueshmërinë dhe efektivitetin e sistemit shqiptar të drejtësisë”.

Pasztory u shpreh se “së bashku, duhet të përballemi drejtpërdrejt me këto sfida përmes reformave, rritjes së transparencës dhe llogaridhënies. Drejtësia nuk bazohet vetëm në ligje cilësore dhe në profesionistë të zotë, por në besimin e publikut”.

“Besimi i shqiptarëve në institucionet e tyre të drejtësisë është një bimë e brishtë, e cila rritet ngadalë dhe të cilën duhet ta ushqejmë dhe ta mbrojmë. Ju, profesionistët e drejtësisë, jeni flamurtarët e besueshmërisë së sistemit tuaj të drejtësisë dhe bashkë me të edhe të demokracisë suaj. Ju mbani një përgjegjësi të madhe, ndërsa ne vetëm sa mund t’ju ndihmojmë që ta mbani këtë përgjegjësi me krenari dhe sa më mirë që të jetë e mundur”, nënvizoi Pasztory.

Sot, vijoi ajo, kremtojmë përpjekjet e vazhdueshme të sistemit të drejtësisë të Republikës së Shqipërisë për nxitjen dhe promovimin e llogaridhënies, profesionalizmit dhe respektimin e shtetit të së drejtës.

Shefja në Detyrë e Prezencës së OSBE-së u shpreh se “duhet të pranojmë sfidat dhe pengesat që janë ende të pranishme në zhvillimin ligjor të Shqipërisë. Prezenca e OSBE-së i mbështet të gjithë hetuesit, prokurorët dhe magjistratët e Shqipërisë. Një sulm kundër cilitdo prej tyre synon të minojë qëllimisht besimin dhe mirëbesimin në institucionet e drejtësisë”.

“Teksa e hedhim vështrimin drejt së ardhmes duam të theksojmë se është shumë e rëndësishme që të nxitet bashkëpunimi dhe dialogu mes të gjithë aktorëve në mbështetje të pavarësisë dhe integritetit të gjyqësorit në Shqipëri”, tha Pasztory./ata