Partia Socialiste nis sot procesin e zgjedhjeve për delegatë të Kongresit, i cili do të zhvillohet përgjatë dy ditëve, 10-11 maj, sipas parimit “një anëtar, një votë”.
Në një konferencë për medie, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Blendi Klosi dha detaje nga zhvillimi i këtij procesi zgjedhor, i cili do të kryhet në 5200 organizata socialiste në të gjithë vendin.
Klosi u shpreh se do të thirrjen për të votuar 95 mijë anëtarë aktivë të Partisë Socialiste për të zgjedhur 950 delegatë të Kongresit Zgjedhor, nga 1970 kandidatë që janë në garë.
“PS e aktivizuar në 5200 organizata socialiste thërret sot anëtarësinë e saj operacionale, plot 95 mijë anëtarë aktivë për të votuar me parimin ‘një anëtar, një votë’ për delegatët e Kongresit të PS-së. Kjo fazë vjen pas një procesi të jashtëzakonshëm për zgjedhjet për kryetarë të çdo organizate socialiste. Mund të them me krenari se në 5200 organizata socialiste, ka 5200 vajza dhe gra që bashkëdrejtojnë me djemtë dhe burrat organizatat në shkallë vendi”, tha Klosi.
Klosi theksoi se në harkun kohor të dy muajve janë anëtarësuar 33 mijë anëtarë të rinj, ndërkohë që theksoi se mbi 3/4 e listës të kandidatëve për delegatë janë anëtarë të rinj./ata