Një skemë mashtrimi me fatura fiktive në vlerën e 2 mln eurove, duke i shkaktuar shtetit dëm prej 60 mln lekëve është zbuluar nga Prokuroria e Tiranës. Në hetim janë 7 persona, mes tyre një ish-punonjës së Qendrës Kombëtare të Biznesit

Sipas prokurorisë u provua se janë krijuar dhe regjistruar në mënyrë fiktive me anë të falsifikimeve, 17 subjekte tregtare, të gjitha me aksionerë administratorë dhe pjestarë bordi drejtues, shtetas të huaj. Përkatësisht 15 prej tyre nga vende si Kuba, Spanja, Germania, Kroacia, Malta, Belgjika, Italia, India, Bangladeshi.

Të 17 kompanitë kanë kryer shitje në mënyrë fiktive në vlerën 200,000,000 lekë, (gati 2 mln euro me kursit e kembit)  duke i shkaktuar një dëm shtetit në vlerën 60 mln lekë të reja.

Jo vetëm që nuk bënë asnjë shitje, por këto kompani nuk kanë pasur asnjëherë punonjës, mjete ose adresa sekondare për të kryer punimet të cilat kanë faturuar. Nga të dhënat e sistemit TIMS, rezulton se të 15 të huajt të cilët kanë firmosur regjistrimet e subjekteve pranë QKB-së, nuk kanë hyrë në asnjë moment në Territorin e Shqipërisë. Dokumentet e dorëzuara nga këta subjekte në QKB, Banka të nivelit të dytë (mandat magesa kapitali), caktimi ekspertëve kontabël në statutet e tyre, u provua se janë të falsifikuara.

"Në total, subjektet fiktive kanë kryer shitje në vlerë 192,622,898 lekë (të dhëna nga vetëdeklarimi). Këto vlera të cilat dyshohet të jenë fiktive, janë faturuar vetëm te subjekti që operon në fushën e kromit", njofton prokuroria.

Gjykata e Tiranës ka caktuar arrest në burg për Antik Çerpjan (ekonomist), arrest shtëpie për Arlind Dukën (ish specialist pranë QKB-së Vlorë), ndërsa detyrim paraqitje Altin Abedinit, Mahmut Limanit dhe Rudebs Rexhës, Fabio Damës dhe Andrea Alias pasi prokuroria po i heton për kryerjen e veprës penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar"

Prokuroria ka zbuluar dhe rolin e secilit

"Personi nën hetim Arlind Duka, ish specialist pranë QKB-së Vlorë, ka mundur të kryejë regjistrimin e katër subjekteve tregtare, me status Sh.A (shoqëri aksionere). Ndërsa ekonomisti Antik Çerpja, ka krijuar kushtet për të furnizuar subjekte të treta nëpërmjet subjekteve fiktive për të cilat ka pasur akses në sistemet e tyre si dhe dokumentacionin tatimor (blloqe TVSH)"

Shqiptarja

Në hetim
1-Antik Çerpja, ekonomist- “arrest ne burg” (ka furnizuar kompanitë me blloqe faturash për TVSH-në) - Akuza Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar
2-Altin Abedini- “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” -  Akuza  'Moskallëzimi i krimit'
3-Mahmut Limani- “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” -  Akuza  'Moskallëzimi i krimit'
4- Rudebs Rexha, “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” - Akuza  'Moskallëzimi i krimit'
5-Fabio Dama, “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” - Akuza  'Moskallëzimi i krimit'
6-Andrea Alias, “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” - Akuza  'Moskallëzimi i krimit'
7-Arlind Duka, ish specialist pranë QKB-së Vlorë- “Arrest në shtëpi” (regjistroi 17 kompanitë me dokumente false në sistem) - Akuza  'Moskallëzimi i krimit' dhe Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve