“Festivali i Verës Merano”, një traditë italiane që daton nga viti 1992 do të zbresë këtë vit në kryeqytetin shqiptar, tek Pazari i Ri, në fundjavën e 11 dhe 12 majit.
Ekspertë nga e gjithë bota, prodhues të verës, degustues, por edhe vizitorë të pasionuar takohen në këtë aktivitet gastronomik ndërkombëtar, për të shijuar dhe vlerësuar verërat, por edhe specialitete të tjera.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, ndau në rrjete sociale pamje nga video prezantuese e këtij aktiviteti të rëndësishëm, teksa shkroi se “vjen në Tiranë “Merano Wine Festival”, një prej panaireve më të rëndësishëm ndërkombëtar të verërave me mbi 650 kantina, rreth 7000 vizitorë dhe 3000 operatorë e distributorë nga e gjithë bota”.
Kumbaro tha se, do të jetë vërtet një festival në Pazarin e Ri këtë fundjavë, ku mblidhen së bashku kantinat e Shqipërisë dhe Kosovës duke promovuar prodhuesit shqiptarë të verërave dhe produktin vendas në tregun kombëtar dhe atë global.
Eksperienca disavjeçare e “Festivalit të Verës Merano” do të japë frytet e saj edhe në Shqipëri duke shërbyer si një katalizator për diversifikimin e kësaj industrie që po zhvillohet me trend në rritje në vendin tonë./ata