Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski duke folur në cilësinë e mandatarit të ardhshëm për formimin e Qeverisë së re ka deklaruar se deri në fund të majit pret që numri i mandateve të fituara nga zgjedhjet e 8 majit për partinë e tij të rritet nga 58 në të paktën 61.
Kjo sipas tij vjen si rezultat i negociatave që është duke zhvilluar me koalicionet e tjera dhe që ka gatishmëri që deputet të caktuar t’i bashkohen VMRO-DPMNE-së.
Gjatë intervistës në Kanal5, Mickoski tha se qëllimi i tij është që bashkë me koalicionin VLEN dhe një subjekt tjetër t’i sigurojë 80 vota në Kuvend.
“Deri më 28 maj mund të konsolidojmë 61 deputetë. Po, po vetëm neve. Ka sinjale që dërgojnë dhe besoj se është i mundur konsolidimi i 61 deputetëve dhe bashkë me koalicionin VLEN të kemi 74-75 deputet, por qëllimi jonë është të kemi mbështetje prej 2/3 në Kuvend”, tha Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Mandatet e VLEN-it mund të rriten nëse në zonën 6 konstatohet një gabim teknik.
Izet Mexhiti gjatë intervistës në Alsat tha se një deputet mund t’i merret Frontit Evropian dhe t’i kalojë koalicionit VLEN.
Kreu i Lëvizjes Demokratike konfirmoi se ka negociata me deputetë nga Fronti me të cilin udhëheq BDI.
“E di që ka negociata me individ nga Fronti Evropian që komunikojnë dhe kërkojnë të kalojnë në anën tjetër. Në zonën 6 nëse konstatohet një gabim teknik që është bërë për 80 vota mund të ndërron raporti dhe rezultati të jetë 8 me 8 më Frontin Evropian”, tha Izet Mexhiti, Kryetar i Lëvizjes Demokratike.
I pyetur për qëndrimet e kreut të VMRO-DPMNE-së dhe gatishmërinë që BDI të shkojë në opozitë, kryeministri teknik, Talat Xhaferi tha se kjo është çështje e subjekteve që kanë fituar mandate në Kuvend dhe ai nuk do të ndërhyjë në punët partiake.
“Është çështje e procedurave dhe procesit të kalkulimeve, bisedime ndër partiake dhe subjekteve që kanë fituar mandate në Kuvend. Unë jam i fokusuar në obligimet dhe detyrat që i ka Qeveria për faktin që përbërja e kësaj Qeverie përfundon deri në zgjedhjen e përbërjes së ardhshme”, tha Talat Xhaferi, Kryeministër teknik.
100 ditët e Qeverisë Teknike, Xhaferi i cilësoi si të suksesshme duke deklaruar se nga ky proces po largohet siç tha me fytyrë të bardhë dhe duke zbatuar atë që e kishte premtuar./BalkanWeb