Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin nënvizoi të hënën angazhimin e SHBA-së për të siguruar forcën e qëndrueshme të NATO-s gjatë një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm, Jens Stoltenberg.
"Ju e keni mbajtur NATO-n të bashkuar dhe të vendosur përmes kërcënimit më serioz për sigurinë transatlantike që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Gjatë gati dy viteve që nga pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga (presidenti rus Vladimir) Putin, NATO është bërë më e fortë dhe më e bashkuar se kurrë", i tha Austin Stoltenbergut gjatë një takimi në Pentagon.
"NATO është aleanca më e fuqishme dhe më e suksesshme në histori", tha Austin, duke shtuar: "Ne do të mbajmë atë në këtë mënyrë".
Stoltenberg, nga ana e tij, tha se situata në fushën e betejës është e vështirë, por aleatët e NATO-s po ofrojnë "mbështetje të paprecedentë" për Ukrainën. "E rëndësishme është që ne të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Mbështetja jonë për Ukrainën nuk është bamirësi. Është një investim në sigurinë tonë sepse bota do të bëhet më e rrezikshme nëse presidenti Putin fiton në Ukrainë", shtoi ai.
Austin vuri në dukje se kur Finlanda u bashkua me NATO-n vitin e kaluar, kjo e bëri aleancën ushtarake edhe më të fortë. "Jam shumë i kënaqur që parlamenti turk votoi javën e kaluar që Suedia të bashkohet me NATO-n. Presim me padurim të kemi Suedinë në NATO së shpejti", tha ai.
Si Austin ashtu edhe Stoltenberg dënuan sulmin me dron në Jordani pranë kufirit me Sirinë gjatë fundjavës që rezultoi në vdekjen e tre ushtarëve amerikanë dhe plagosën e dhjetëra të tjerëve. "Presidenti dhe unë nuk do të tolerojmë sulmin ndaj forcave amerikane dhe do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të mbrojtur SHBA-në dhe trupat tona", tha Austin.
Stoltenberg shprehu ngushëllimet e tij për të vrarët dhe të plagosurit në sulm. "Kjo tregon edhe një herë rrezikun ndaj të cilit janë të ekspozuar ushtarakët kur ata mbrojnë vlerat tona dhe marrin pjesë në misione dhe operacione ku mbrohet liria dhe vlerat në të cilat besojmë të gjithë", tha ai.
Kreu i NATO-s pretendon se "Irani vazhdon të destabilizojë rajonin".
Një takim me Stoltenbergun pati edhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan.
Ata diskutuan miratimin e fundit të Türkiyes për anëtarësimin e Suedisë në NATO, mbështetjen e NATO-s për Ukrainën dhe planifikimin për Samitin e NATO-s në korrik 2024 në Washington, sipas një deklarate të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.
"Ata shkëmbyen mendime mbi përparimin e aleatëve në rritjen e prodhimit të mbrojtjes dhe shprehën shqetësimin për DPRK-në (Republika Popullore Demokratike e Koresë), eksportin dhe prokurimin e pajisjeve ushtarake të DPRK-së nga Rusia si dhe përdorimin e këtyre pajisjeve nga Rusia kundër Ukrainës. Ata gjithashtu theksuan përkushtimin e përbashkët të aleatëve për gatishmërinë ushtarake dhe për mbrojtjen e çdo pëllëmbe të territorit të NATO-s", thuhet në deklaratë./aa