Qyteti bregdetar i Vlorës çeli zyrtarisht sezonin e ri turistik 2024. Edhe pse vizitorët në Vlorë kanë qenë të shumtë përgjatë gjithë vitit, duke shijuar kulinarinë e qytetit bregdetar, por edhe peizazhet e mrekullueshme të Labërisë, sot përmes disa aktiviteteve festive bashkia e Vlorës zyrtarizoi nisjen e sezonit turistik.

Vlora, qyteti ku kryqëzohet detit Adriatik dhe Jon, ofron jo vetëm turizëm detar, por edhe malor, si dhe atë të aventurës. Po ashtu, pjesë e ofertës turistike janë muzetë, kultura, kulinaria, tradita e  ruajtur dhe promovuar me mjaft kujdes.

Bashkia e Vlorës me rastin e sezonit të ri turistik organizoi disa ceremoni dhe aktivitete të ndryshme festive. Pas një festivali sportiv është çelur panairi “Vlora jonë”,  panair i vlerave dhe pasurive që nga kulinaria, zejtaria e deri te prezantimi i trashëgimisë kulturore.

“Ky është një promovim i Vlorës me të gjitha vlerat e saj, jo vetëm për t’i dhënë gjallëri qytetit bregdetar por edhe për të mirëpritur pushues e turistë”, tha kryebashkiaku Ermal Dredha.

“Vlora është një nga destinacionet kryesore dhe ne kemi pritshmëri shumë më të larta këtë vit. Presim që sfida të jetë edhe më e madhe por kjo nuk na tremb”, tha Dredha.

Pjesë e festës ishin përfaqësues të gastronomisë dhe kulinarisë që shprehen për një eksperiencë pozitive. Ndërsa festa tërhoqi edhe shumë të huaj që janë më pushime këto ditë në qytetin bregdetar.

Mbrëmë u zhvillua edhe koncerti i madh me këngëtarë nga Vlora dhe Tirana, aktivitete këto që kanë çelur zyrtarisht sezonin turistik 2024 edhe pse turistët në Vlorë e kanë filluar sezonin që në muajin mars./ata