Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me komunitetin shqiptar në sallën “Christmas Theater” në stadiumin ‘Galatsi’ në Athinë foli për marrëdhëniet mes dy vendeve tona duke u shprehur se “jeta e përditshme mes shqiptarëve e grekëve, jashtë kafenesë së zhurmshme të interesave afatshkurtër të politikës dhe përtej pasqyrave të saj verbuese mediatike vazhdon normale, aktive dhe produktive”.
Në fjalën e tij, Rama tha se “eksportet shqiptare në Greqi vitin e shkuar u rritën me 1/4 më shumë se sa vitin paraardhës. Ndërsa në muajt e parë të këtij viti Greqia renditet e treta në listën e partnerëve tregtarë të Shqipërisë”.
Ai shtoi se falë angazhimit të vetë operatorëve ekonomikë këtej dhe andej kufirit, jemi në hapat e fundit të krijimit të Dhomës së parë Shqiptaro-Greke të Tregtisë dhe të Industrisë me seli në Athinë.
“Falë nxitjes së njerëzve të ndriçuar të këtij komuniteti në Greqi, janë bërë të gjitha gati dhe pritet vetëm miratimi i qeverisë greke për të hapur qendrën e kulturës shqiptare, për të cilën qeveria jonë ka lëvruar edhe fondet përkatëse”, deklaroi Rama.
Gjithashtu, Kreu i Ekzekutivit nënvizoi se “falë kërkesës në rritje të jetës reale të popujve që jetojnë jashtë gotës së furtunave politiko-mediatike, numri i udhëtarëve që lëvizin drejt të dyja vendeve është dhjetëfishuar. Shqiptarët janë prej kohësh të dashuruar me brigjet e magjishme të Greqisë, por anasjelltas, gjithnjë e më shumë grekë po zbulojnë Shqipërinë turistike ku ndihen si në shtëpinë e tyre të dytë”.
Ai deklaroi se grekët kanë qenë, janë dhe gjithnjë do të jenë të mirëseardhur në Shqipëri, jo vetëm për të pushuar, por edhe për të punuar, hapur dyqane, ngritur kompani, startuar linja investimesh dhe për të përfituar nga një regjim taksash shumë më i ulët se këtu në Greqi”.
“Madje Shqipëria është kaq mikpritëse për grekët, sa nuk i krijon asnjë telash, përkundrazi, i krijon të gjitha kushtet edhe ndonjë politikani të keqkuptuar grek që vjen të protestojë atje, pastaj vjen humb zgjedhjet këtu. Bujrum, si në shtëpinë tuaj”, ka deklaruar Rama gjatë takimit me bashkëkombësit tanë në Greqi./ata