Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se po vijojnë bisedimet në nivel ekspertësh për njohjen e pensioneve me Greqinë.

Në takimin e mbajtur në Athinë, me shqiptarët që jetojnë e punojnë në Greqi, Rama tha njohja reciproke e pensioneve është një marrëveshje e rëndësishme për të cilën deri dje nuk shihej asnjë dritë në fund të tunelit.

“Më në fund, me qeverinë aktuale greke, se me ato më përpara as nuk bëhej fjalë, kemi arritur të kthenim negociatat në nivel ekspertësh për marrëveshjen e pensioneve me Greqinë. Është një marrëveshje për të cilën deri dje nuk shikonim asnjë dritë në fund të tunelit”, tha ai.

Rama tha se marrëveshjet me Italinë dhe Greqinë për njohjen e pensioneve janë komplekse, për shkak të peshës që ka faktori shqiptar në të dy vendet.

“Ndërkohë, që besojmë se pas realizimit të marrëveshjes së pensioneve me Italinë, kemi edhe një referencë shumë pozitive, sepse faktikisht, ajo me Italinë dhe kjo me Greqinë janë edhe dy marrëveshjet më komplekse për shkak të vetë peshës që ka faktori shqiptar në të dy shtetet”, deklaroi Rama./ata