Kryesocialisti Edi Rama ka mbledhur sot Kryesinë e forcës politike që ai drejton. Në fjalën e tij Rama foli për platformën “Deputeti që Duam”. Ai tha se kjo platformë është vendosur në qendër të procesit së PS për zgjedhjet 2025 duke shtuar se përmes kësaj platforme do të evidentojnë kandidatura që mund t’i përzgjedhin në listën për deputetë. Sipas tij, avantazhi i atyre që vijnë më parë është vetëm koha që kanë më shumë në dispozicion për të treguar se sa janë në gjendje të jenë vlerë e shtuar në skuadrën.
“Platforma nuk është një instrument që ne e përdorim për herë të parë. Por për herë të parë ne e kemi vendosur në qendër të një procesi, që ndryshe nga hera e parë fillon thuajse një vit para zgjedhjeve dhe afro 9 muaj përpara se sa të regjistrohen kandidatët për deputetë. Ju jeni nga grupi i parë i aplikantëve që jeni këtu, pro që do të zgjerohet me aplikantë të tjerë të cilët duke filluar nga ju, nuk duhet të presin që pasi u bë aplikimi dhe pasi i dhatë në atë aplikim arsyet tuaja, të ndodhë përzgjedhja. Avantazhi i atyre që vijën më parë, është vetëm koha që kanë më shumë në dispozicion për të treguar se sa janë në gjendje të jenë vlerë e shtuar në skuadrën tonë.
S’të bën mosha më e re, s’të bën as fakti që ke dëshirë apo që mund të dish të flasësh bukur, apo as fakti që mund të kesh qenë më parë në rrethin më të gjerë që ka PS. Nuk të bën as lidhja apo lidhjet që mund të kesh me PS. Të gjitha këto janë krejtësisht pamjaftueshme. Vlerë të shtuar të bën çfarë ti je në gjendje të demonstrosh. Duke treguar se je një kandidat apo kandidate që i duhesh skuadrës së PS. Ta demonstrosh këtë cdo ditë. Po përgatisin një udhërrëfyes që mund ta ndiqni sipas dëshirës. Do ju ndjekim me sy në distancë, për të parë se si ju promovoni kandidaturën tuaj duke fuqizuar personin tuaj publik, që sot është një person publik i panjohur dhe që nesër kur të vijë momenti i përzgjedhjes duhet të jetë një person publik i njohur në komunitet, në një rreth të caktuar profesionistësh”, tha Rama./Dita