Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me komunitetin shqiptar në sallën “Christmas Theater” në stadiumin ‘Galatsi’ në Athinë, është shprehur se “historia e re e shqiptareve të Greqisë është kapitulli bashkëkohor i një afirmimi shembullor të vlerës së përjetshme të lirisë së individit dhe të drejtës së qytetarisë”.
Në fjalën e tij, Rama tha se demokracia është një sistem sa sfidues aq dhe kuptimplotë, sa vetë termi që i gjen rrënjët në fjalën greke “kratos”, forcë e cila nuk e di pse mua më asociohet gjithmonë me fjalën hyjnore shqipe ‘krijoj’.
“Forcën krijuese të demokracisë si fuqi jo shkatërruese, si fuqi lartësuese e shoqërisë, jo përçarëse e denigruese, si fuqi që sjell mundësi, gjithnjë e më të barabarta për të gjithë, jo thellim të pabarazisë dhe të diskriminimeve, Shqipëria 2030 duhet t’ia marrë më të mirën e mundshme përmes fuqisë së gjithë shqiptarëve që flamuri kuq e zi i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit të ngrihet në krahë të flamujve të shteteve anëtare të Bashkimit Europian, atje në qendrën e Europës demokratike”, nënvizoi kreu i qeverisë shqiptare.
Duke iu drejtuar bashkëkombësve tanë në Greqi, Rama u shpreh se “sot Shqipëria ka nisur t’ju ngjajë ju”.
“Ka nisur të ngjajë përditë e më shumë me shqiptarët e rrugëve të stërmundimshme të emigracionit që falë përpjekjeve titanike të disa viteve nga gjysmë të vdekurit e leckosur dhe të damkosur të shtigjeve malore dhe brigjeve detare rilindën, rilindën dhe u bën zotër të fatit të tyre në Europë. Albania, sot ka rilindur në sytë e botës dhe nuk ka asociohet më me vendin e zymtë të të gjitha të këqijave por me një destinacion për t’u zbuluar, për tu prekur. Me një vend njerëzish mikpritës dhe ambiciozë që po ia ndryshojnë faqen Shqipërisë, me një shtet që në dyert dhe sallonet e Europës dhe të botës nuk shihet më as me dyshime as me keqardhje, por me respekt dhe me vlerësim. Sot ju nuk e ulni më kokën kur thoni: “jam nga Shqipëria”. Dhe siç atdheu juaj ka qenë gjithnjë kryelartë për ju, ju sot jeni në të drejtën e Zotit të jeni kryelartë për Shqipërinë”, vijoi Rama.
Më tej, Kryeministri Rama deklaroi se “Shqipëria e deridjeshme nuk ju mbante dot, Shqipëria e sotme po bëhet gati edhe për këdo nga ju që dëshiron apo mund të dëshirojë të kthehet, por Shqipëria 2030 do të jetë vendi ku kush do të rikthehet, do të ketë një Shqipëri të vetën, si veten, për veten; një shtet europian në gjirin e Europës, një shtet demokratik ku më së fundmi, pas shekujsh të tërë, ligji i barabartë për të gjithë dhe askush mbi ligjin”.
Sipas tij, kohët kur të tjerët vendosnin se deri ku mund ta hidhnin hapin shqiptarët kanë vdekur.
“Koha e shqiptarëve dhe e Shqipërisë në Europë ka ardhur. Rrofshi që më nderuat kaq shumë! Bashkësia qoftë emri i çdo dite të re për ju, familjet, të afërmit, të gjithë ata që ju do zemra.Jeni shembull, jeni energji, jeni forcë për mua”, tha Rama në takimin me diasporën shqiptare në Athinë./ata