Ministri i Brendshëm Taulant Balla prezantoi të martën në Komisionin për Çështjet Ligjore në Kuvend ndryshimet ligjore të propozuara nga qeveria tek ligji për “Për sistemin e adresave”.

Duke prezantuar risitë e projektligjit, Balla nënvizoi se do të krijohet një regjistër unik i adresave në Shqipëri. Sipas ministrit të Brendshëm, pas miratimit të këtij ligji dhe akteve të tjera nënligjore që do të shoqërojnë këtë paketë, do të kemi një regjistër unik, tek i cili do të referohen të gjitha institucionet.

“Ndryshimet që kemi sjellë për miratim në Kuvend, kanë të bëjnë me ngritjen e një regjistri unik të adresave në rang vendi, i cili do të kenë detyrimin t’i referohen të gjitha institucionet në vend, qofshin ato publike apo private. Nëse deri më tani kemi pasur regjistra adresash, nga institucione të ndryshme sikurse ato qendrore apo dhe vetë bashkitë, pas miratimit të këtij ligji do të kemi një regjistër unik, me standarde të unifikuara të formatit të adresave në rang vendi”, tha Balla.

“Po ashtu çdo banesë, çdo ndërtesë, çdo biznes, çdo njësi, do të ketë një kod unik identifikues, i papërsëritshëm. Pra çdo banesë në Republikën e Shqipërisë ka kodin e vetë unik. Kjo do të na mundësojë që t’i japim zgjidhje problematikave që lidhen pikë së pari me ofrimin e shërbimeve të duhura te qytetarët”, vijoi Balla.

“E dyta, ka të bëjë me lehtësimin e mbërritjes në adresë, jo vetëm sa i përket asaj që të gjithë e dimë si shërbimi postar, por edhe sa i përket dhe identifikimit të adresave për vizitorët e huaj në Shqipëri turistëve për të shkuar në një adresë të caktuar. Përmes këtij projektligji do të mundësojmë që duke pajisur me kodin unik çdo banesë, çdo hotel, çdo biznes, çdo apartament, p.sh. një apartament që jepet me shërbimin Airbnb, destinacioni i synuar do të jetë lehtësisht i arritshëm dhe i identifikueshëm”, shtoi Balla.

Sipas tij, “regjistri unik është në funksion dhe aktualisht që flasim mund ta check-oni në: adresari.mb.gov.al edhe është duke u pasuruar me një ndërfaqe të re dhe do të jetë i gatshëm në javët dhe muajt në vijim. Do të doja që përmes këtij komunikimi publik jo vetëm me anëtarët e Komisionit të Çështjeve Ligjore, të Administratës dhe të Drejtave të njeriut por mbi të gjitha me publikun, që ta frekuentojnë adresarin online dhe madje të përfitojnë nga shërbimet që ofrohen”, tha Balla.

“Nëse deri para pak vitesh ishim njëri prej vendeve në Ballkan me problematikën më të madhe të sistemit të adresave, sot pretendojmë të jemi vendi me sistemin më të mirë të adresave me shpresën që të gjithë anëtarët e nderuar jo vetëm të Komisionit por edhe të Kuvendit të Shqipërisë ta mbështesin. Kujtoj dhe njëherë që çdo familje shqiptare, apartamentin, banesën e vet, shtëpinë në fshat, në qytet, njësinë tregtare do ta kenë me kod unik. Ne po punojmë, edhe në momentin që flasim me kompanitë prestigjioze sikurse “google”, dhe pastaj me të gjitha kompanitë e tjera botërore, për të aksesuar dhe për të ofruar menjëherë kodin unik dhe përmes këtij kodi unik, që mund të vendoset p.sh në “google maps” menjëherë të shkosh, të drejtohesh për në banesën apo ndërtesën apo hotelin ku një qytetar shqiptar apo i huaj, ka si destinacion për të mbërritur”, bëri me dije Balla.

“Një çështje mendoj ose problematika që janë synuar të adresohen dhe që lidhen kryesisht me pushtetin vendor por jo vetëm ka të bëjë me vendosjen e penaliteteve ndaj organeve të qeverisjes vendore, të cilat kanë përgjegjësinë për zbatimin e të gjithë kuadrit ligjor për sa i përket adresarit në Shqipëri. Problematikat kanë pasur të bëjnë dhe vazhdojnë të kenë të bëjnë me mosndjekjen e procesit të emërtimit të pjesëve të territorit publik nga njësitë e qeverisje vendore, nga moseficenca e ofrimit të shërbimeve publike si rezultat i mosdeklarimit të saktë të të dhënave të vendbanimit, dhe sa i përket mangësive në numërtimin, adresimin numerik të brendshëm dhe të jashtëm të objekteve ekzistuese në Shqipëri”, tha Balla më tej.

“Kryetari i Bashkisë kontrollon dhe raporton ecurinë e procesit të emërtimit në DPGJC dhe dua të ndaj me ju informacionin se ne kemi kaluar në qeveri dhe do vijmë shumë shpejt këtu për të prezantuar dhe për të kërkuar mbështetjen tuaj edhe për ligjin për Gjendjen Civile”, shtoi ai.

Ai shtoi se “zbatimi i ligjit është detyrim nga çdo qytetarë i vendit, përfshrië këtu dhe të zgjedhurit vendor. Duhet një fushatë dhe strategji komunikimi publik. Dhe ky diskutim i sotëm në këtë komison, por dhe në komisionet e tjera, është një mundësi e artë për të komunikuar me kryetarët e bashkive dhe institucionet e tjera të përfshira dhe që kanë për detyrim zbatimin e këtij ligji. Do të kemi dhe fushatë komunikimi mediatik. Fushata të tjera në rrjetet sociale dhe njoftim informues për të gjitha subjektet e përfshira në detyrimin për zbatimin e këtij ligji”, tha Balla.

Sipas tij, çështja e sanksioneve është një pikë fundore dhe jo qëllim në vetvete.

“Jo vetëm ky ligj por në tërësi, penalitetet i ka si hap i fundit të mosrealizimit të detyrave. Nuk është një shpikje e jona, por një model që e kemi parë dhe në legjislacione të vendeve të tjera. Jemi të vetëndërgjegjësuar, koha kur në Shqipëri adresa mund të identifikohej me variantin e “pallatit me shigjeta, te kioska në të majtë”, ka përfunduar, pasi çdo banesë, çdo ndërtesë ka adresën unike të tij”./ata