Ministrja e Shtetit për Integrimin Evropian dhe Kryenegociatorja e Shqipërisë për anëtarësimin në BE, Mjalinda Dhuka e nisi fjalën e saj në takimin Kryeministrit Rama me shqiptarët në Athinë duke u shprehur se “unë jam vajza e një babai minoritar, nga Derviçani në Dropull dhe me orgjinë të familjes nga Athina”.
“Kam patur fatin të rritem me të dy gjuhët, edhe me gjuhën e bukur shqipe edhe me gjuhën e bukur greke. Studimet e mia i kam kryer edhe ne Shqipëri dhe në Greqi”, tha ajo.
Ministrja Dhuka theksoi se “Greqia është jo vetëm një vend fqinj dhe mik, por edhe partner shumë i çmuar drejt anëtarësimit në BE. Ndihem shumë e privilegjuar që të përfaqësoj Shqipërinë në krye të skuadrës së negociatave për anëtarësim në BE dhe jam shumë krenare që të ju them sot se skuadra jonë ka fituara konsideratën më të lartë të partnere evropianë në tryezën e negociatave të anëtarësimit në BE”.
Ajo tha se Shqipëri sot është më pranë se kurrë realizimit të ëndrrës shekullore dhe amanetit të rilindësve tanë, që nuk mund të shprehet më bukur sesa me fjalët e poetit tonë Naim Frashëri, “dielli lind aty ku perëndon”.
“Dhe ju shqiptarë të Greqisë jeni shembulli më kuptimplotë i fuqisë shqiptare të integrimit sepse ju me sakrificat tuaja të jashtëzakonshëm arritët të ktheheshit nga njerëz që ju shihnin kudo me sytë e paragjykimit t në qytetarë të barabartë të Greqisë evropiane. Ju jeni frymëzim dhe burim krenari për mua dhe skuadrën tonë kombëtarë të negociatave për anëtarësim në BE”, deklaroi ministrja Dhuka./ata