Zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi sot se, hapja e autostradës së re Thumanë-Kashar do të pasojë me ndërtimin e rrugës Kashar- Lekaj ( Rrogozhinë), pjesë të Korridorit Blu, Murriqan- Kakavijë, që lidh veriun me jugun e vendit.
Në një intervistë televizive, Balluku bëri të ditur se, “pas përfundimit të aksit rrugor Thumanë- Kashar, loti i parë i Korridorit Blu, nis puna për ndërtimin e rrugës së re Kashar – Lekaj (Rrogozhinë) pjesë e këtij korridori”.
Sipas saj, më pas vijon Thumanë- Milot për të cilën lidhet këto ditë kontrata, pastaj do të hapet gara për Milot- Balldren që janë pjesë të aksit rrugor verior.
Balluku bëri të ditur se, në pjesën jugore të këtij korridori, janë dy lote shumë të rëndësishëm të cilat do të fillojnë menjëherë nga puna.
“Konkretisht Kashar – Lekaj (Rrogozhinë) do të jetë një rrugë tërësisht e re, kjo do të jetë një rrugë komplekse, do të ketë ura dhe vepra arti dhe nga Rrogozhina do të vijojë ndërtimi i rrugës deri tek bajpasi i Fierit”, u shpreh ministrja.
Balluku tha se, investimet në rrjetit rrugor infrastrukturor sipas standardeve më të mira janë në prioritet ndaj dhe po punohet fort për realizimin e projekteve të rëndësishme në këtë drejtim./ata