Mes forcave izraelite dhe grupeve palestineze po zhvillohen luftime të ashpra, kryesisht në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës.

Në një deklaratë nga Brigadat Kassam, krahu i armatosur i Hamasit informohet lidhur me luftimet e ashpra që zhvillohen me forcat izraelite, kryesisht në qytetin Rafah. Në lindje të qytetit Rafah në jug të Rripit të Gazës, automjeti ushtarak izraelit u godit me raketën "Yasin-105".

Brigadat Al-Quds, krahu ushtarak i Lëvizjes Xhihadi Islamik njoftuan se kanë shënjestruar me mortaja pozicionet e ushtarëve izraelitë brenda pikës kufitare Rafah. Një tank izraelit i llojit "Merkava" u godit me raketën Yasin-105 në bulevardin "George" në lindje të qytetit Rafah.

Luftime të ashpra janë shënuar edhe në lindje të kampit të refugjatëve Jabalia në veri të Rripit të Gazës mes forcave izraelite dhe grupeve palestineze.

- Bombardohet zona përreth kishës "Saint Porphyrius" në lagjen Al-Zaitoun

Sipas informacioneve të marra nga dëshmitarët, mësohet se forcat izraelite bombarduan zonën përreth kishës "Saint Porphyrius" që ndodhet në lagjen Al-Zaitoun në lindje të qytetit të Gazës.

Ushtria izraelite po zgjeron sulmin e saj tokësor ndaj qytetit Rafah, në drejtim të lagjeve Jneina dhe Al-Salam në perëndim të bulevardit Selahaddin.

- Humb jetën një nga drejtuesit e Frontit Popullor Çlirimtar Demokratik të Palestinës

Fronti Popullor Çlirimtar Demokratik i Palestinës njoftoi se një nga drejtuesit e saj ka humbur jetën në sulmin e Izraelit.

Sipas një deklarate nga Fronti Popullor Çlirimtar Demokratik i Palestinës, forcat izraelite bombarduan një shtëpi në jug të qytetit të Gazës. Në sulm kanë humbur jetën anëtari i Byrosë politike të Frontit Popullor Çlirimtar Demokratik të Palestinës, Talal Ebu Zarifa dhe një person me emrin, Mahmud Hamami.

Dëshmitarët thanë se në sulmin ajror që forcat izraelite kryen mbrëmë ndaj një shtëpie në lagjen Sabra, bashkë me Talal Ebu Zarifa kanë humbur jetën edhe 3 persona të tjerë./aa