Qeveria dhe pushteti vendor do të shfrytëzojë burimet e Universitetit të Tiranës (UT) për kërkime shkencore dhe për realizimin e projekteve inovative.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku dhe rektori i UT, Artan Hoxha, firmosën marrëveshjen mes dy institucioneve.

Ministri Mazniku, në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, u shpreh se ndihma e universiteteve do të shërbejë për t’iu përgjigjur sfidave që aktualisht përballet pushteti vendor. Nga ana tjetër ky bashkëpunim do të ngrejë kapacitetet e Universitetit të Tiranës, duke u bërë kështu një partner në zhvillimin e pushtetit vendor.

“Pushteti vendor ka 3 sfida të jashtëzakonshme. Sfida e parë është ekonomia, ne na duhet të mendojmë se si bashkitë të kthehen në agjentë ekonomikë të territorit që kanë nën administrim. Sfida e dytë ka të bëjë me integrimin europian. 70% të ligjeve dhe rregulloreve të BE zbatohen në nivel vendor. Këtë nuk e bëjnë dot bashkitë nëse nuk kanë në krah akademinë shqiptare. Sfida e tretë është demografia. Të trija këto sfida lidhen me mundësinë që nëse ne vendosim një urë sistematike bashkëpunimi me universitetin mund t’i përmirësojmë zgjidhjet e tyre”, tha Mazniku.

Ndërsa rektori Hoxha u shpreh se Universiteti i Tiranës është i aftë dhe gati ta ofrojë këtë shërbim.

“Pushteti Vendor ka nevojë për zhvillim të qëndrueshëm dhe që UT e ndjen veten të aftë të bashkëpunojë në çështje të cilat kanë interes në zhvillimin e pushtetit vendor”, tha ai.

Marrëveshja parashikon se studentët e Universitetit të Tiranës do të përfitojnë trajnime dhe praktika mësimore dhe punësimi në bashkitë e vendit. Marrëveshja ka një afat 5-vjeçar, me rinovim automatik për 2 vite të tjera./ata