Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin do të zhvillojë vizitë zyrtare në Kinë.
Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Kinës thuhet se Putini do të vizitojë vendin më 16 dhe 17 maj me ftesë të homologut të tij kinez, Xi Jinping.
Kremlini njoftoi se Putini do të realizojë vizitën e parë jashtë vendit në Kinë pasi u zgjodh përsëri për president.
Udhëheqësit e Rusisë dhe Kinës do të diskutojnë në detaje të gjitha çështjet që lidhen me partneritetin gjithëpërfshirës dhe ndërveprimin strategjik. Gjatë takimit do të përcaktohen drejtimet kryesore për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit praktik Rusi-Kinë dhe do të shkëmbehen mendime për çështjet aktuale ndërkombëtare dhe rajonale.
Si rezultat i negociatave është planifikuar që krerët e shteteve të bëjnë një deklaratë të përbashkët dhe të nënshkruhen disa dokumente dypalëshe.
Putin dhe Jinping do të marrin pjesë në natën gala të mbajtur me rastin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve dhe 75-vjetorit të hapjes së viteve kulturore ruse dhe kineze.
Presidenti rus pritet të takohet me kryeministrin kinez, Li Jiang për të diskutuar bashkëpunimin dypalësh në fushat tregtare, ekonomike dhe humanitare.
Putin do të vizitojë gjithashtu qytetin e Harbinit, qendra administrative e provincës Heylongciang, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së EXPO-së së 8-të Rusi-Kinë dhe Forumin e 4-të të Bashkëpunimit Ndër-rajonal Rusi-Kinë.
Përveç kësaj, Putini do të takohet me studentë dhe mësues të Universitetit Politeknik Harbin.
- Afrimi Kinë-Rusi
Në një kohë kur konkurrenca gjeopolitike me SHBA-në dhe tensionet e konfrontimet në Azi-Paqësorin po shtohen, Kina po ndjek një politikë afrimi me Rusinë, e cila po përballet me sfida të ngjashme për shkak të luftës në Ukrainë.
Pekini ka përmirësuar marrëdhëniet ekonomike, veçanërisht në fushën e energjisë, me Moskën, e cila është objektivi i sanksioneve perëndimore për shkak të luftës në Ukrainë.
Ndërsa vëllimi i tregtisë mes dy vendeve arriti në 240 miliardë dollarë në vitin 2023, duke tejkaluar objektivin prej 200 miliardë dollarësh, afërsisht gjysma e naftës bruto dhe gazit natyror të eksportuar nga Rusia gjatë vitit u ble nga Kina./aa