Në Prishtinë po mbahet Forumi i dytë Ekonomik gjermano-kosovar me pjesëmarrës të ndryshëm, përfaqësues të institucioneve gjermane dhe atyre kosovare.
Në këtë forum dyditor (2 dhe 3 tetor) po merr pjesë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, emisari i Gjermanisë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin, anëtari i Bundestagut të Gjermanisë, Peter Beyer dhe përfaqësues të tjerë të odave ekonomike dhe ekspertë të ekonomisë.
Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Sarrazin, në ditën e parë të këtij forumi tha se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë bashkë në tregun e BE-së.
Sipas tij, shumë investitorë po investojnë në Serbi, prandaj edhe Kosova duhet të krijojë parakushte për një gjë të tillë, duke bërë thirrje që të punohet për një treg të përbashkët rajonal që mundëson zhvillim. Sarrazin shtoi se Gjermania, ekonomikisht dhe politikisht, është ndër partnerët kryesor në Kosovë "sepse beson në të ardhmen e Kosovës".
Sarrazin gjatë qëndrimit në Kosovë ka folur edhe rreth çështjes së formimit të Asociacionoit të Komunave me shumicë serbe, ku tha se drafti i BE-së i këtij asociacioni i është dorëzuar Kosovës dhe se Gjermania dëshiron që Kosova ta procedojë këtë draft në Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që t'i hapet Kosovës rruga për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Forumi po mbahet në kuadër të shënimit të 25-vjetorit të bashkëpunimit zhvillimor ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, ku është vlerësuar se nga viti 1999 Gjermania ka investuar afër një miliard euro për ndërtimin e infrastrukturës, nxitjen e rritjes ekonomike, rritjen e shërbimeve sociale, fuqizimin e komuniteteve, inovacionin, punësimin, integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
Forumi ka për qëllim bashkimin e bizneseve, novatorëve dhe politikbërësve për të nxitur bashkëpunimin dhe për të eksploruar mundësi të reja ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës./aa