Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, shtigjet e penetrimit të korrupsionit duhet të ngushtohen në pikën që korrupsioni të mos jetë më një fenomen shqetësues

I pranishëm në aktivitetin për reformën e inspektimeve të mbajtur në Shtëpinë e Biznesit, tek Piramida, Rama tha se, “e keqja është krijuar për të bërë dëm të madh, por për t’u harruar shpejt, kurse e mira është krijuar që asnjëherë mos jetë mjaft dhe në mënyrë të natyrshme njeriu është krijuar që të keqen ta harrojë, ndërsa me të mirën të ketë gjithmonë konflikt, sepse natyrshëm kërkon më shumë”.

“E bëra këtë hyrje për të kujtuar që nga sa larg kemi ardhur deri këtu dhe se çfarë situate kemi pasur me marrëdhëniet mes biznesit dhe shtetit dhe shtetit me biznesin dhe njëkohësisht për të shfrytëzuar këtë rast për të përsëritur atë që është në thelb të një procesi shtetbërjeje. Krijimi i strukturave dhe i mekanizmave që e bëjnë raportin mes shtetit dhe qytetarit një raport të bazuar tek e vetmja alternativë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se, “kjo do të thotë se shteti nuk bën dot pa qytetarin, por qytetari nuk bën dot pa shtetin dhe mes tyre nuk ka një alternativë tjetër si korrupsioni. Korrupsioni është një alternativë që është aty në të gjitha rastet kur strukturat dhe mekanizmat që duhet të përmbushin detyrat e shtetit ndaj qytetarit, nuk arrijnë t’i përmbushin në mënyrë të barabartë për të gjithë, apo krijojnë padrejtësi dhe krijojnë hapësira që e drejta mos të jetë e barabartë për të gjithë”.

“Kjo luftë është një luftë shtetbërje që hap pas hapi, hap pas hapi, hapësira e ndërveprimit mes qytetarit dhe shtetit të zgjerohet dhe hapësira e ndërhyrjeve të korrupsionit të ngushtohet”, tha Rama.

“Ju jeni dëshmitarë që sot jemi ku e ku me ku ishim”, iu drejtua Rama sipërmarrësve, teksa shtoi se, “patjetër sot kemi akoma nevojë për të shtyrë përpara me durim dhe shumë vendosmëri që hapësira e këtyre marrëdhënieve të zgjerohet tërësisht dhe shtigjet e penetrimit të korrupsionit të ngushtohen në pikën që korrupsioni të mos jetë më një fenomen shqetësues”.

Për këtë, nënvizoi Rama, “kemi marrë dhe nismën e fundit që patë në Kuvend, ose më saktë me grupin parlamentar, dhe tani do ta shtyjmë më tutje në Kuvend, për të adresuar në vijimësinë e të gjithë sektorëve që përbëjnë sistemin e organizmit të bashkëjetesës në Shqipëri mes shtetit dhe qytetarit të gjitha pikat e dobëta që kërkojnë adresim të ri”.

Për këtë, theksoi Rama, “na ndihmon shumë procesi i negociatave, na ndihmon shumë e gjithë tërësia e problemeve të identifikuara. Na ndihmon shumë edhe dija e fituar në këto vite, eksperienca, por edhe dija dhe eksperienca e BE”./ata