Mbi 500 mijë shtetas shqiptarë në Itali dhe mijëra shtetas italianë në Shqipëri janë përfitues të drejtpërdrejtë nga marrëveshja ndërmjet Shqipërisë dhe  Italisë në fushën e sigurimeve shoqërore.

Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, gjatë prezantimit  të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë në fushën e sigurimeve shoqërore”, sot në Komisionin për Çështjet Europiane të Kuvendit, tha se, “marrëveshja është një garanci shtesë për qytetarët e të dy vendeve tona, të cilët nuk humbasin asnjë ditë kontribute, pavarësisht vendit ku ka punuar dhe jetuar, duke përfituar pension”.

Sipas saj, objekt i kësaj marrëveshjeje janë përfitimet nga skema shqiptare e detyrueshme e sigurimeve shoqërore, që përfshijnë përfitimet për pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar, sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjen dhe sigurimin e papunësisë.

Ndërsa përfitimet nga skema italiane janë: sigurimi i përgjithshëm i detyrueshëm për pension invaliditeti, pleqërie dhe familjar të punonjësve të punësuar; trajtim i posaçëm i punonjësve të vetëpunësuar në sektor të ndryshëm; sigurim për sëmundjet ku përfshihen edhe tuberkulozi dhe barrëlindja; sigurimi i papunësisë dhe skemat e posaçme zëvendësuese dhe të veçanta të sigurimit të krijuara nga kategori të caktuara punonjësish.

Manjani vuri në dukje se, marrëveshja parashikon që periudha e sigurimit të realizuara në njërin shtet të njihen edhe nga shteti tjetër, me kusht që të mos mbivendosen.

“Çdo person ka të drejtë të tërheqë përfitimin e siguruar kudo ku ai ndodhet. Bashkimi i periudhave kontributive, për të përmbushur afatin minimal (në rastin e Shqipërisë, 15 vite) që duhet për të përfituar pension”, tha Manjani.

Ajo bërë të ditur se, marrëveshja administrative me Italinë do të bëhet në qershor dhe i hap rrugën detajimit teknik, që është një procedurë e zakonshme dyditore.

Referuar statistikave, Manjani informoi se, janë 5775 biznese aktive që operojnë në vendin tonë, me të paktën një ortak me shtetësi italiane, nga të cilat 4605 janë 100% të huaja dhe 1170 me pronësi të përbashkët, shqiptaro-italiane. Ndërkohë që 3953 italianë ndodhen aktualisht në Shqipëri me leje qëndrimi.

Ajo shprehu angazhimin e qeverisës shqiptare për garantimin e mbrojtjes shoqërore të shtetasve shqiptarë kudo ku ata punojnë dhe jetojnë, teksa informoi se, që prej vitit 2005 e deri më sot, në fushën e sigurimeve shoqërore, janë nënshkruar 17 marrëveshje me shtete të ndryshme.

Lidhur me impaktin e zbatimit të marrëveshjeve, Manjani tha se, “për periudhën 2017-2023, kemi 6491 aplikime nga shtetas shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në këto vende, me të cilët kemi marrëveshje në fushën e sigurime shoqërore”.

“Numri më  i lartë i aplikimeve 3691, është nga shqiptarët në Gjermani, 737 aplikime nga Turqia, 145 nga Maqedonia e Veriut, 631 aplikime Belgjika; Hungaria me 44; Luksemburgu me 142; Çekia 164, Bullgaria me 25; Austria me 908 aplikime; Kosova me 18; Kanadaja me 62 aplikime; dhe Zvicra me 1 aplikim. Ndërkohë për periudhën janar – prill 2024 kemi në total 724”, bëri të ditur Manjani, teksa thekoi se, qeveria po negocion me çdo vend, përfshirë edhe SHBA-në, Francën dhe Anglinë.

Në fjalën e saj, kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku, përshëndeti këtë marrëveshje dhe njëkohësisht rikujtoi kontributin që edhe opozita e mbi të gjitha kuvendi ka dhënë për këtë marrëveshje.

“Shpresoj që ky të jetë në shembull dakordësie që kalon përtej Komisionit tonë. Në këtë Komision kemi rënë dakord dhe për raste të tjera, por shpresoj që përfitime të tilla të kenë qytetarët shqiptarë kudo që ndodhen jashtë. Më e mira do të ishte në fakt që qytetarët shqiptar të mos detyrohen të largoheshin jashtë, por në kushtet që ndodhemi, kjo marrëveshje ka falenderimet dhe të opozitës. Falenderojmë dhe kolegët italianë që janë angazhuar dhe kontribuar”, tha Tabaku.

Pas diskutimeve, Komisioni për Çështjet Europiane miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë në fushën e sigurimeve shoqërore”./ata