Të gjitha pajisjet që konsumojnë energji do të kenë një etiketë në gjuhën shqipe, e cila do të saktësojë konsumin e energjisë.
Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Enkelejda Muça, gjatë diskutimit të projektligjit “Për etiketimin e produkteve me ndikim në energji”, në Komisioni për Çështjet Europiane, tha se “projektligji vjen në kuadër të përmbushjes së direktivave të BE-së dhe synon garantimin e të drejtave të qytetarëve shqiptarë, duke i vendosur atyre në dispozicion informacion të qenësishëm në lidhje me eficiencën e energjisë dhe konsumin e energjisë”.
“Vendosjen në treg ose në shërbim të produkteve me ndikim në energji dhe dhënien e informacionit standard në lidhje me eficiencën e energjisë, konsumin e energjisë dhe të burimeve të tjera gjatë përdorimit, u mundëson qytetarëve që të zgjedhin produkte më eficiente në mënyrë që të reduktojnë konsumin e tyre të energjisë”, u shpreh Muça.
Sipas saj, si rezultat i zhvillimit të produkteve gjithnjë e më eficente në energji, klasat e energjisë të përcaktuara në legjislacionin aktual në fuqi A (A+, A++ dhe A+++) në etiketat e produkteve në treg do të ndryshohen sipas rregullores së të re BE-së për etiketimin e energjisë që përcakton një shkallë të re krahasuese për klasat e energjisë nga A (më efikase) në G (më pak efikase).
“Etiketimi i energjisë është një shtytës kryesor për të ndihmuar konsumatorët të zgjedhin produkte që janë më shumë eficiente në konsumin e energjisë si dhe inkurajon prodhuesit të nxisin inovacionin duke përdorur teknologji më eficiente në energji”, theksoi ajo./ata