Komisioni për Ekonominë dhe Financat, në cilësinë e komisionit përgjegjës, shqyrtoi dhe miratoi sot dy projektligje.
Fillimisht komisioni mori në shqyrtim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunimin ekonomik, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Azerbajxhanit”, i cili u prezantua nga deputeti Endrit Yzeiraj, zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Në fjalën e tij, Yzeiraj, u ndal në qëllimin dhe përfitimet e marrëveshjes, duke nënvizuar se projektligji ka ardhur si nevojë e përditësimit të marrëveshjes së mëparshme mes dy vendeve të firmosur parimisht në vitin 2023, e cila ka pësuar ndryshime dhe amendime përgjatë kësaj kohe.
Zëvendësministri sqaroi se marrëveshja synon forcimin e lidhjeve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve në fusha të interesit strategjik si: energji, miniera, transport, infrastrukturë, arsim, mjedis, turizëm, etj, si dhe theksoi se marrëveshja nuk ka efekte financiare.
Deputetja Blerina Gjylameti në cilësinë e relatores vlerësoi rëndësinë e marrëveshjes në rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushat të interesit strategjik dhe ftoi kolegët ta miratojnë. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare të radhës.
Mbledhja vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për një ndryshim në ligjin “Për miratimin e aktit normativ “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve””, të ndryshuar”, nismë e deputetit Eduard Shalsi.
Të ftuar në mbledhjen e komisionit për të dhënë mendim për nismën dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve ishin, Endrit Yzeiraj, zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si dhe stafi teknik i Ministrisë së Financave.
Nisma ka për qëllim kalimin e kryerjes së procedurave të cilat lidhen me administrimin e pronës shtetërore, përfshirë shitjen e saj, në kompetencë të ministrisë përgjegjëse për ekonominë.
Nisma ishte shqyrtuar dhe diskutuar edhe më herët në komision dhe Shalsi njoftoi se Këshilli i Ministrave ka dërguar një opinion ligjor mbi ndryshimet e propozuara.
Gjatë diskutimeve, Blerina Gjylameti bëri një përmbledhje të disa amendimeve të dakordësuara nga një grup deputetësh lidhur me vendosjen në ligj të përcaktimeve të qarta lidhur me rastet e shkëmbimit të pronës, procedurat e dhënies me qira, përcaktimet në ligj të kostove për shpenzimet e shembjes së godinave të mbulohen nga investitori, etj.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare të radhës./ata