Sistemi bankar ka kontribuuar në një rritje të shpejtë të kredisë për ekonominë, nga niveli 7% i PBB-së në vitin 2002, në nivelin 30% të PBB-së në vitin 2023.

Kështu u shpreh Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, në aktivitetin e 25-vjetorit të Shoqatës Shqiptare të Bankave, që u mbajt të hënën në Tiranë. Ky aktivitet bëri bashkë një sërë aktorësh të cilët përfaqësojnë sektorin, qeverinë, biznesin dhe ekspertët, nga ku u pasqyruan sfidat, arritjet e deritanishme dhe vizioni për të ardhmen.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Sejko vuri në dukje se, gjatë këtyre viteve sistemi bankar ka qenë mbështetës e iniciator i shumë nismave, duke i hapur rrugë adoptimit të standardeve që përcaktojnë tashmë bankingun modern në Shqipëri.

“Shërbimet e ofruara klientëve u revolucionarizuan, bankat zgjeruan ndjeshëm shtrirjen e tyre, duke ofruar gjithnjë e më shumë produkte e shërbime bankare e financiare që dikur konsideroheshin përtej fushës së veprimit të bankingut tradicional”, tha Guvernatori.

Sejko theksoi se, sektori bankar shqiptar i ka ofruar ekonomisë një gamë të gjerë e në rritje instrumentesh pagesash, të cilat mundësojnë lëvizjen eficiente të likuiditetit e të kapitalit në ekonomi.

Sipas tij, Qeveria Shqiptare, Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave, kemi kryer një punë të madhe për realizimin e reformave të rëndësishme strukturore gjatë dekadës së fundit siç janë: plani i masave për reduktimin e kredive me probleme nga 25% në 4.64% dhe përmirësimin e mjedisit të kreditit; konsolidimi i sistemit bankar dhe rritja e përfshirjes financiare.

Guvernatori solli në vëmendje se, bankat i ofrojnë shërbime të aksesit në llogari rreth 171.654 qytetarëve ose rreth 78% të popullsisë së rritur (2023); Numri i llogarive bankare të aksesueshme nga interneti është rritur me 17 herë (11,108 llogari në vitin 2008 – 1,096,402 llogari në vitin 2023); Aktualisht (2023) janë kryer rreth 7,7 milionë transaksione bankare (nga vetëm rreth 88 mijë transaksione në vitin 2008) dhe numri i pagesave me kartë bankare është rritur 83 herë nga viti 2008.

“Banka e Shqipërisë mbetet e përkushtuar drejt ruajtjes së stabilitetit monetar e financiar të vendit, si parakusht i zhvillimit të qëndrueshëm e afatgjatë; rritjen e mëtejshme të kreditimit, zgjerimin e përfshirjes financiare dhe mbështetjen e transformimin digjital në sektorin bankar për shërbime më të shpejta dhe më të besueshme për publikun”, tha Sejko./ata