Teksa tashmë na ndajnë vetëm disa orë nga zgjedhjet e 14 majit, ku qytetarët do iu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur 61 kryebashkiakët që do të drejtojnë qytetet e Shqipërisë për katër vitet e ardhshme, autoritetet kanë marrë nmasa për të ruajtur institucionet e rëndësisë së veçantë.
Kështu, ushtria ka marrë masa për të ruajtur institucionet e selive diplomatike në vend, si edhe institucionet e tjera për të parandaluar ndonjë incident të mundshëm gjatë procesit zgjedhor.
Një ditë më parë, policia njoftoi masat e ndërmarra për sigurinë dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Janë trajnuar më shumë se 7530 punonjës policie, 5511 prej tyre do të angazhohen në ruajtjen e objekteve zgjedhore. Ndërsa 192 punonjës të forcave ‘Komando’ do të ruajnë objektet e rëndësishme.
Në këto zgjedhje vendore 3.650.550 shtetas shqiptarë kanë të drejtën e votës, ndërsa 122.545 zgjedhës votojnë për herë të parë.
Në 61 bashki të vendit do të jenë të hapura 5.211 qendra votimi nga ora 07:00-20:00.
Sipas të dhënave nga KQZ në 44 bashki do të garojnë dy kandidatë, kandidati i Partisë Socialiste dhe i Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, në 14 bashki do të jenë nga 3 kandidatë ku pjesë e listës do të jetë dhe kandidati i Partisë Demokratike me logon zyrtare, ndërsa në Sarandë do të jenë 4 kandidatë.
Në këto zgjedhje opozita pritet të kthehet në institucionet e pushtetit vendor pas katër vjet mungese për shkak të bojkotit në zgjedhjet e vitit 2019. Gjatë kësaj periudhe socialistët drejtuan gjithë bashkitë e vendit, përveç Shkodrës.