Ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, tha se operacioni ushtarak izraelit kundër qytetit Rafah, në jug të Rripit të Gazës, ka vonuar armëpushimin midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas.

Duke folur në Forumin Ekonomik të Katarit, Sheikh Mohammed theksoi se përpjekjet e ndërmjetësimit vazhdojnë pavarësisht se janë ndërprerë. Ai vuri në dukje se ekziston "një dallim thelbësor midis dy palëve", Izraelit dhe Hamasit, në lidhje me armëpushimin.

"Është një palë (Hamasi) që dëshiron t'i japë fund luftës dhe më pas të flasë për pengjet. Është një palë tjetër (Izraeli) që dëshiron pengjet dhe dëshiron të vazhdojë luftën", tha ai, duke shtuar:

"Për sa kohë që nuk ka pika të përbashkëta midis këtyre dy gjërave, nuk do të arrijmë në një rezultat".

Ushtria izraelite javën e kaluar filloi pushtimin e saj në zonën lindore të qytetit Rafah, duke sulmuar dhe pushtuar anën palestineze të kalimit Rafah me Egjiptin dhe duke mbyllur kështu të vetmen portë të Gazës me botën e jashtme.

Javën e kaluar Hamasi tha se pranoi një propozim të përbashkët nga Egjipti dhe Katari për armëpushim, por Izraeli tha se marrëveshja nuk i përmbushte kërkesat e tij thelbësore.

Izraeli ka vrarë të paktën 35.173 palestinezë në Gaza si hakmarrje për një inkursion ndërkufitar të 7 tetorit nga Hamasi, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë rreth 1.200 njerëz.

Rreth 85 për qind e 2.3 milionë banorëve të Gazës janë zhvendosur brenda enklavës, ku ka mungesë të gjerë të ushqimit, ujit dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar tha se "besohet" se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza si dhe urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e tilla dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa