Prokuroria e Fierit njoftoi sot se ka përfunduar hetimet për tre shtetas të cilët kanë dëmtuar zonën e mbrojtur të Lumit Vjosa, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 3 milionë lekësh.

Në një njoftim për mediet, Prokuroria e Fierit sqaron se ka dërguar në gjyq tre shtetas për akuzën: “Dëmtim i habitateve në zonat e mbrojtura”. Kjo kërkesë është pranuar nga Gjykata e Fierit.

“Prokuroria Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim procedimin penal në ngarkim të shtetasve A.L., E.L., dhe F.S., të akuzuar për veprën penale ‘Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore.’ Nga ana e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier është pranuar kërkesa për ta dërguar çështjen penale në gjykim,” thuhet në njoftim.

“Nga hetimet u provua se, të pandehurit në kundërshtim me kërkesat e legjislacionit në fuqi për zonat e mbrojtura, kanë kryer veprime që kanë shkaktuar përkeqësim të rëndë të habitatit, që ndodhet brenda zonës së mbrojtur mjedisore. Të pandehurit kanë kryer veprime në drejtim të marrjes së zhavorrit në lumin Vjosë, lum i cili është shpallur ‘Park Natyror’ përmes VKM nr. 59, datë 26.01.2022. Nga veprimet e kryera, të pandehurit kanë shkaktuar një dëm në vlerën 3.000.000 lekë,” vijon njoftimi.

Prokuroria e Fierit thekson se po ndjek me prioritet dhe është plotësisht e angazhuar për identifikimin dhe hetimin e veprave penale kundër mjedisit./ata