Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka ndarë sot në rrjetet sociale një mesazh me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes.

Në mesazhin e saj, Xhixho paraqet programin e Partisë së Lirisë për të luftuar shpopullimin dhe për të mbështetur institucionin e familjes. Ajo thekson se Partia e Lirisë ka hartuar një plan masash për këtë qëllim.

“Programi i Partisë së Lirisë përfshin mbështetje financiare për nënat, duke siguruar paga të plota që variojnë nga 70% deri në 100% të pagës së tyre për dy vitet e para të lindjes. Do të ofrojmë lehtësira në strehim për çiftet e reja, duke krijuar një fond për banesat dhe mundësinë e blerjes së tyre me kosto të ulët,” deklaron Xhixho.

Një tjetër lehtësi e prezantuar nga Xhixho është kredia për blerje shtëpie me interes të subvencionuar, ku përfshihet një zbritje e kredisë prej 3 mijë euro për fëmijën e parë, 6 mijë euro për fëmijën e dytë dhe 10 mijë euro për fëmijën e tretë.

“Do të krijojmë shportën e bebes, e cila do të përfshijë mbështetje falas me ushqim dhe suplemente ushqimore të domosdoshme për gratë shtatzëna, veçanërisht për familjet në gjendje varfërie dhe papunësie,” thekson Xhixho.

Programi gjithashtu parashikon reduktimin e vdekshmërisë foshnjore dhe të nënave në lindje, përmirësimin e kujdesit për nënën dhe fëmijën, garantimin e punësimit për gratë shtatzëna, dhe mbulimin e plotë të barnave, përfshirë edhe ato që nuk janë të përfshira në listën e barnave të rimbursueshme.

“Do të mundësojmë katering në shkolla dhe kopshte, për të zgjatur qëndrimin e fëmijëve dhe për t’iu mundësuar grave dhe nënave të reja rritjen e tyre në karrierë,” përfundon Xhixho mesazhin e saj./ata