Nënkryetari i Rithemelimit, Agron Gjekmarkaj, bashkë me kreun e grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi zhvilluan një takim në Bundestag me Josip Juratoviç, kryetar i Grupit të Miqësisë, Shqipëri-Gjermani dhe me Tomas Haker, zv.kryetar.
Ka qenë Gjekmarkaj që ka treguar detaje nga takimi në fjalë, përmes një mesazhi në “Facebook’. Ai theksoi se demokratët kanë parashtruar para zyrtarëve gjermanë kërkesën e opozitës për Qeveri Teknike si në Greqi apo Maqedoninë e Veriut, meqënëse klima e mirëbesimit mes palëve është cenuar.
MESAZHI I GJEKMARKAJT
Sot së bashku me Kryetarin e Grupit Parlamentar të PD-së, njëkohësisht Nënkryetar i PD-së, z.Gazment Bardhi zhvilluam një takim në Bundestag me z.Josip Juratoviç, Kryetar i Grupit të Miqësisë, Shqipëri -Gjermani dhe me z.Tomas Haker, Zv.Kryetar. I falanderova mikpritësit tanë për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë gjatë këtyre 34 viteve në rrugetimin e saj drejt Europës, demokracisë, ekonomisë së tregut dhe në forcimin e shtetit ligjor. Shpreha të vertetën e shqiptarëve që integrimin në Bashkimin e Europian e shohin si të vetmen rrugë duke gjykuar nga përkatësia historike, kulturore, shpirtërore e politike.
Njoha miqtë me disa nga shqetësimet tona kryesore si mospërmbyllja e një reforme zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR, si parakusht themelor për zgjedhje të lira dhe të ndershme!
Në këtë kontekst, opozita kërkon Qeveri Teknike si në Greqi apo Maqedoni meqënëse klima e mirëbesimit mes paleve është cënuar, mundësisht futjen e saj në kushtetutë. I informova bashkëbiseduesit për arrestimin e Liderit të Opozitës, Prof.Dok. Sali Berisha, person me emrin e të cilit lidhen disa arritje madhore te vendit tonë si pluralizmi, shteti i së drejtës, Shqipëria në NATO dhe pa viza, marrja e statusit të vendit kandidat për në BE, modernizmi i infrastrukturës, mos ndryshimi i kufijve te Kosovës. Kërkova që ky proçes të monitorohet ndërkombtarisht.
Një politikani nuk mund ti mohohet përfaqësimi pa vendim gjykate të formës së prerë siç e tha dje edhe një personalitet europian z.Elmar Brok në Tiranë. Cënimi i legalitetit të Opozitës duke marrë peng vulën dhe simbolet e saj, kërkon një reagim ndërkombëtar në mënyrë që drejtësia të shprehet, të dale me një vendim në mënyrë që Opozita të shkojë në zgjedhje në kushte relativisht të barabarta dhe jo me këmbë, gojë e duar të lidhura! E gjej të nevojshme ti rikthehem kerkesës që Bundestagu të riaktivizojë misionin e saj faktmbledhës i cili ka patur gjykimet më të sakta se asnjë vend tjetër për Shqipërinë./BalkanWeb