Kryeministri Edi Rama, gjatë një interviste për “Report” në Rai 3, theksoi sot ka luftuar për të vërtetën. Ai tha se e di çfarë do të thotë të luftosh për lirinë e fjalës dhe mbi supe ka gjurmët e betejës për të vërtetën.

Kreu i qeverisë shqiptare i shfaqi gazetarit italian një foto kur është dhunuar në vitin 1997, gjatë kohës që ushtronte profesionin e gazetarit.

“Unë bëja gazetarin.E patë që i kisha vendosur mbrapa? M’i solli një vajzë, e cila ka çelur një ekspozitë për lirinë e shtypit dhe i nxori, edhe pse i thashë që janë parë tashmë. Unë e di çfarë do të thotë të jesh gazetar. Kush u katandisi kështu? Burimet prestigjioze që keni intervistuat ju për serinë e parë. Mos më përmendni më emra këtu. Më pyetët “kush”? Unë ju dhashë përgjigje. Nuk është ai tema. Tema është kjo. Unë e di çfarë do të thotë të luftosh për lirinë e fjalës. Di edhe çfarë do të thotë të kesh ende mbi lëkurë shenjat, këtu dhe këtu”, tha Rama.

Ndërkohë duke iu përgjigjur akuzës për influencë në media, të artikuluar nga gazetari italian, Rama u përgjigj se janë një gënjeshtër.

“Jeni i ngarkuar plot me gjysmë të vërteta. Kjo nuk është gazetari, kjo është gazetari e lehtë. Ju thoni unë bëj gazetari sikur të keni një kartë imuniteti. Më lini të mbaroj. Edhe kjo tani që nuk më lini kurrë të mbaroj. Unë nuk ju ndërpreva. Ju jeni në shtëpinë time, mund të më ndërprisni kur të doni. Këto janë rregullat e shtëpisë sonë. Unë, kur dëgjoj që thuhet bëj gazetarin, u them që bëni profesionin më të rëndësishëm, sepse është profesioni i së vërtetës, jo i gjysmë të vërtetave. Dhe pastaj kur të bërit gazetarin shndërrohet në një lloj imuniteti nga e vërteta dhe thua, “jo, unë i vë të gjithë përballë, dëgjoj këtë, dëgjoj atë, dëgjoj atë tjetrin”. Po është shumë e rëndësishme si i vë përballë, sepse sigurisht, që të gjithë kanë të drejtën të flasin, por është shumë e rëndësishme, sepse duhen ndjekur nga fakte, duhen ndjekur nga dokumente, duhen ndjekur nga konfirmime. Për këtë jua thashë. Tani më thoni që “ju kontrolloni mediet”. Mbi çfarë baze?”, tha Rama.

“Duhet të më sillni një tender publik, një – hulumtoni – një që është fituar nga pronarë mediash. Pastaj, unë nuk mendoj që, nëse pronarët e mediave bëjnë edhe sipërmarrësin me gjëra të tjera, janë të detyruar të mos marrin pjesë në tendera publikë. Unë nuk bëj tenderë, tenderat i bëjnë institucionet, po ç’është kjo unë, përpiqem ta bëj këtë punë në mënyrën më të ndërgjegjshme të mundshme, se nuk marrë njeriun nga rruga apo kundërshtarin politik dhe të them, po e ndërtoj këtë gjënë. Nëse ka një figurë, i cili ka qenë krah jush, krahu juaj i djathtë për vite të tëra, që tregon gjëra, unë e kam për detyrë si gazetar të vij te ju, edhe për interesin tuaj, t’ju pyes”, u shpreh Rama.

“Duke iu përgjigjur dhe drejtorit të Rai-t, i cili bëri një krahasim me Putin, Rama tha se “për shumë arsye, atij (Putinit) do t’i dukej një ulje shumë e madhe të merrte në telefon një drejtues të Rai-t. Kurse unë e shoh ndryshe. Kur marr në telefon drejtorin e Rai-t, më duket se marr nivelin më të lartë të atij, që për mua, është shërbimi publik italian. Ne jemi rritur me Rai-n. Nuk është më Rai i njëherë e një kohe, por është Rai. Po ju nuk i dini arsyet pse e mendoj kështu. Jo, mund të kemi arsye të përbashkëta, po jo të gjitha. Nëse më thua që Rai është ku thërret kiameti, për shkak të Xhorxhas. Ka nga ata që kanë bërë më keq, ka ndoshta nga ata që po e bëjnë më keq”, vijoi Rama.

“Atëherë, po ju thoja për baltën. Sepse unë këmbëngul, që programi – nuk di nëse bëni ndonjë korrigjim të stilit, nuk e di nëse ia dilni dot po ishte mirë edhe për ju, në kuptimin që, po, mund të thuhen të gjitha, por jo paragjykimet, jo etiketimet, jo përgojimet e personave që nuk janë të pranishëm. Pastaj, të gjitha gjërat që u thanë në atë program, çfarë bënë në fund të fundit? Kanë bërë atë që ju donit të bënit. Domethënë, marrëveshja është një marrëveshje shumë e keqe. E drejta juaj e shenjtë. Pastaj, i shtoni në një mënyrë, do të thoja unë, shumë djallëzore hijen nga mbrapa, pra “është një marrëveshje me një vend narkotrafiku, me eksponentë të mafies, bashkëpunëtorë me mafien, avokati i trafikantëve të pushtetshëm të drogës”. Për çfarë bëhet e gjithë kjo? E gjithë kjo bëhet për të mbështetur paragjykimin tuaj, por duke i bërë një padrejtësi të madhe një vendi, një populli që nuk e meriton këtë. Drejtori juaj thotë: “Jo, jo, ne nuk e kishim me popullin shqiptar””, theksoi Rama.

“Më falni, po do të ishte kulmi po ta kishit me popullin shqiptar, por i keni bërë një padrejtësi të madhe popullit shqiptar, sepse ju keni vënë italianëve para syve diçka që nuk përkon me të vërtetën. Kemi një thënie të lashtë ne, “shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”. Ju jeni mik. Ju jeni këtu. Zoti nuk është, nuk është i pranishëm. Është, po jo këtu. Na sheh, por, thotë me siguri që po kaloj një moment interesant me mikun tim, po, megjithatë, për sa kohë Zoti nuk është këtu, jeni ju perëndia. Mund të bëni çfarë të doni. Të dilni kur doni, të qëndroni. Për mua, nuk ka problem”, shtoi Rama.

“Unë po ju them – se për këtë duhet të flasim – padrejtësia që i është bërë është e konsiderueshme edhe në një aspekt tjetër. Një gjë të tillë shqiptarëve ua thonë çdo ditë vende e burime informimi dhe keqinformimi në Shqipëri. Iu dalin e iu teprojnë. Po duhet të ketë një arsye që të gjithë ata që ndjekin këtë qasje të gjysmë të vërtetave vetëm humbasin e humbasin. Humbasin dhe shkojnë poshtë e më poshtë. Ndërkohë që, t’i shohësh të njëjtat gjëra – se janë të njëjtat gjëra, nuk keni thënë asgjë të re sa u përket gjërave për të cilat kemi folur, domethënë janë gjëra të ditura – në shërbimin publik italian, në Rai 3, bën përshtypje. Nuk është diçka rastësore që, pastaj, ata që i thonë prej shumë kohësh, pas programit u hodhën e thanë, “epo tani e tha edhe Rai 3, tani këto janë gjëra të vërteta”. Atëherë, për çfarë po flasim? Në këtë kuptim, i keni bërë padrejtësi popullit shqiptar, në sytë e italianëve dhe në sytë e atyre që shohin Rai-n. Nuk ka dyshim, nuk diskutohet, që ka një faktor të mafies shqiptare, edhe pse e urrej t’iu vesh etni apo kombësi kriminelëve, sepse ata nuk kanë flamur, nuk kanë ngjyrë, kanë vetëm faktin që janë kriminelë. Të shtosh gjithmonë “mafia italiane, mafia shqiptare” iu bën një lloj padrejtësie të gjithë italianëve dhe të gjithë shqiptarëve. Mafia është mafie. Kur flisni për mafiozët tuaj, ju nuk thoni “mafiozët italianë”, thoni mafiozët tanë, kaq, pikë, mafiozët e vendit tonë. Në këtë kuptim…”, tha Rama.

“Që ka një faktor të mafies shqiptare në territorin e mafies, nuk diskutohet. Është e kotë ta diskutojmë këtë. Që ka sigurisht një luftë kundër krimit të organizuar në Shqipëri ka, sepse ata janë nuk është se nuk janë dhe po luftojmë me mullinjtë e erës. Nuk diskutohet që është një luftë që vazhdon, është një luftë që ka pasur sukses shumë të konsiderueshëm dhe nuk e them unë. Në lidhje mjaft të ngushtë me Italinë dhe me agjencitë ndërkombëtare, por, së pari, me Italinë, në të gjitha planet, nga policia, te gjykatësit, Italia na ka dhënë një dorë shumë të madhe. Që kjo luftë vazhdon nuk ka diskutim, por ashtu siç e thatë me të drejtë që Italia ka shënuar përparim të konsiderueshëm në këtë luftë, edhe ne kemi bërë përparim shumë të rëndësishëm në këtë luftë. Po që ka, nuk diskutohet. Që merr forma të reja, nuk diskutohet. Po, që të thuash se kontrollon ekonominë shqiptare, është…”, shtoi Rama.

“Politikë të ndotur nga mafia në Shqipëri, jua them sinqerisht, që nuk e shoh. Nuk e shoh. Fuqi për t’u imponuar, fuqi për të devijuar vendime të rëndësishme, fuqi për të kontrolluar pjesë të asaj ekonomie që administron shteti, unë nuk e shoh. Faktet nuk e thonë”, nënvizoi Rama./ata