Pas disa javësh me familjen në Portugali, trajneri i Kombëtares, Sylvinho ka marrë udhën për në Tiranë. Këtë pasdite braziliani do mbërrijë në kryeqytet dhe do fillojë përgatitjet për listën e ekipit që do jetë në Euro 2024.
Përpara udhëtimit në Gjermani, Sylvinho ka ekskluzivitetin për t'u dhënë përgjigje shumë pikëpyetjeve për listën me 26 emrat që ka në mendje për Grupin B të Euro 2024.
Tekniku në 95 përqind të totalit e ka në mendje listën fillestare, teksa do lërë pezull deri në fund ftesat edhe në bazë të paraqitjeve apo dëmtimeve që mund të ndodhin në këtë fazë finale të sezoneve në kampionatet ku djemtë kuqezi aktivizohen.
Përpara udhëtimit në Gjermani, trajneri do ketë mundësinë për të parë ekipin në dy ndeshjet miqësore, atë kundër Lihtenshtajnit më 3 qershor dhe katër ditë më vonë kundër Azerbajxhanit, të dyja në Hungari. Tani Kombëtarja ka 'ndezur motorët'.
Kujtojmë se Euro 2024 zhvillohet në Gjermani nga 14 qershori - 14 korrik dhe tanët janë pjesë e Grupit B me rivalë si Spanja, Italia dhe Kroacia./Shqiptarja