Lumturie Çeka 61 vjeç ndihet e përmbushur. Ajo ia ka arritur të ketë një familje të shëndetshme e në harmoni.
“Kam një familje të lumtur, kam dy fëmijë. Vajzën e kam të madhe, djalin më të vogël, por të rritur të dy. Vajzën e kam të martuar dhe jeton jashtë, djali jeton këtu me ne” thotë Lumturia.
Pavarësisht se me vështirësim bashkë me të shoqin, ajo tregon për Report Tv se ia kanë dalë të rrisin dy fëmijë te edukuar, dhe të arsimuar në mjekësi.
“Jam një familje e thjeshtë, punëtore. Kemi punuar gjithmonë, ia kemi dal në çdo kohë. Nuk themi se bëjm pushimet në Dubai, por këtu të jepet mundësi për atë që do të punojë. Kemi punuar me nga 2-3 punë për të mos u lënë gjë pa plotësuar fëmijëve. Nuk kanë pasur luksin të vishen me rroba të shtrenjta, por ia kemi dalë. Vajza ka mbaruar për Mjekësi dhe djali për Stomatologji”.
Në ditën ndërkombëtare të Familjes, Lumturia thotë se zonja e shtëpisë luan rolin kryesor për ta mbajtur familjen të mbledhur.
"Unë mendoj pas asaj të cilës kam ecur deri më sot, zonja e shtëpisë është çelësi suksesit të familjes. Ndonjëherë tërhiqe e mos e këput, ndonjëherë mbyll një sy, e aty ku është për të fol duhet me fol por, me qetësi jo me zhurmë. Me qetësi bëhet çdo gjë, me bashkëpunim, dhe komunikim patjetër"
Marrëdhënia prind fëmijë është shumë e rëndësishme, e siç duket familja Çeka ia ka arritur me sukses.
“Me vajzën nuk diskutohet që komunikimi ka qenë i pandërprerë, por edhe me djalin ja kam gjetur mundësin. Nuk kam pasur kurrë probleme, nuk kam qëndruar kurrë pa gjumë. Jemi pro martesave me dashuri, vetëm ajo nuk të lë në baltë. Tani ka dal dhe bashkëjetesa, akoma më mirë për ta njohur”.
Rasti i familjes Çeka duket se nuk është mbizotërues. Shumë qytetarë thonë se familja shqiptare është dobësuar krahasuar me vite më parë.
“ Ka ndyshuar familja 100 për qind, kjo për shkak se burri bën me mendjen e vvetë, gruaja po ashtu”. Marrëdhënia prind fëmijë s'është mirë, fëmijët ikin e nuk pyesin më për prindërit. Nusja nuk i do sot familjarët e burrit”./Shqiptarja