Sulmuesi i Goteborg në Suedi dhe Kombëtares, Arbnor Muçolli është dëmtuar në fundjavë dhe gjendja e tij shqetëson stafin e kuqezinjve një muaj para fillimit të Euro 2024.
Për raundin e tetë të kampionatit suedez, Muçolli pësoi një dëmtim në shpinë kundër Malmos dhe trajneri u detyrua ta zëvendësonte me vendimin e stafit mjekësor. Ende nuk dihet gjendja e tij, por fakt është se në ndeshjet e fundit miqësore Sylvinho e preferoi dhe Muçolli nuk zhgënjeu.
24-vjeçari ka kontratë deri në 2026 me Goteborg dhe pritet që në rast të kalimit të lëndimit të jetë pjesë e Kombëtares në Euro 2024. Pesë ndeshje ka luajtur ai me kuqezinjtë, teksa më herët ka qenë pjesë e Vejle në Danimarkë.
"Ndjej pak dhimbje në shpinë, do të shohim si do të jetë në ditët në vijim. Nuk e di saktësisht se çfarë është, nuk e kam ndjerë kurrë diçka të tillë, por mendoj se ndikon lodhja. Se si do të reagojë trupi do të shohim në ditët në vijim", tha Muçolli pas ndeshjes./Shqiptarja