Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se takimi i parë zbatues i marrëveshjes me Italinë për njohjen e pensioneve do të zhvillohet në datat 18-20 qershor.
Gjatë diskutimit në Kuvend të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë në fushën e sigurimeve shoqërore”, Gonxhja detajoi disa nga përfitimet që do të kenë qytetarët shqiptarë nga kjo marrëveshje.
Sipas tij, “marrëveshja nuk ka prapaveprim dhe nuk mund të ketë një pretendim financiar për vitet e shkuara”.
“Të gjitha kontributet dhe ngjarjet në jetën tonë akumulohen dhe në rast se një person është në Itali dhe ka përfituar një pension të caktuar për shkak të viteve atje, por ka edhe disa vite në Shqipëri për të cilat nuk është i kualifikuar për të marrë pension, nga momenti që marrëveshja hyn në fuqi i takon e drejta të marrë edhe pensionin për vitet në Shqipëri. Nga momenti që marrëveshja hyn në fuqi, këto vite kthehen në një të drejtë pensioni për të, por natyrisht në masën që i takon nga kontributet në Shqipëri. Qytetarët nuk mund të kërkojnë lekë për vitet para se të hynte marrëveshja në fuqi, por nga dita që marrëveshja hyn në fuqi pensioni i tyre rritet bazuar në këtë riformulim”, tha Gonxhja.
Duke folur për marrëveshjet që tashmë janë në fuqi dhe zbatohen aktualisht, Gonxhja theksoi se Shqipëria ka marrëveshje me: Turqinë, Belgjikën, Luksemburgun, Maqedoninë e Veriut, Hungarinë, Republikën Çeke, Gjermaninë, Austrinë, Kosovën, Kanadanë, Bullgarinë, Rumaninë, Zvicrën dhe Kroacinë.
Ndërkohë, Gonxhja informoi se marrëveshja me Malin e Zi është gati për të hyrë në fuqi dhe është dekretuar në 4 tetor 2023.
Ministri informoi po ashtu se Shqipëria ka marrëveshje dypalëshe në proces me Italinë, Poloninë, Serbinë dhe Greqinë.
“MEKI ka kërkuar marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore me SHBA, Holandën, Suedinë, Norvegjinë, Finlandën, Francën, Slloveninë, Mbretërinë e Bashkuar, Moldavinë, Izraelin, Letoninë, Estoninë dhe Lituaninë. Kemi marrë dakordësi për inicimin e negociatave nga Danimarka, Sllovenia, Moldavia, Spanja, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe jemi duke dërguar shkresa këto ditë që flasim për të përcaktuar vetëm datat. Me Italinë lajmi i mirë është që datat e përcaktuara për takimin zyrtar zbatues janë në 18-20 qershor, pasi kjo marrëveshje të ratifikohet në Kuvend”, u shpreh ai./ata