Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Genti Gazheli priti sot në Shkodër drejtorin e Përgjithshëm të Doganave të Malit të Zi, Vladimir Bulajić.

Gjatë kësaj vizite zyrtare dy drejtuesit e administratave doganore u ndalën në pikën doganore të Hanit të Hotit dhe Muriqanit, dy prej portave kryesore të hyrje-daljeve të qytetarëve shqiptarë dhe malazezë.

Gjatë takimit të përbashkët të dy delegacioneve u diskutua për rritjen e bashkëpunimit mes dy doganave të cilat me afrimin e sezonit turistik shtojnë fluksin e udhëtarëve në dy anët e kufirit

Të dyja palët ranë dakord për lehtësimin e procedurave me qëllim reduktimin e kohës së qëndrimit të udhëtarëve dhe përpunimit të mallrave.

Po ashtu, u bë e ditur se së shpejti do vendoset një linjë e re trageti Ankona – Tivar – Durrës, e cila do të lehtësojë më tej lëvizjen e qytetarëve mes dy vendeve./ata