Nënkryetari i Kuvendit, deputeti i Partisë Demokratike Agron Gjekmarkaj dhe kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi kanë vijuar edhe sot me takime me zyrtarë të Bundestagut.

Në një postim në rrjetet sociale, Gjekmarkaj thekson se gjatë takimeve është konfirmuar mbështetja e pakursyer e opozitës për Procesin e Berlinit. Sipas Gjekmarkajt, gjatë takimeve është evidentuar dhe shqetësimi për ngecjen e reformës zgjedhore. Po ashtu, ata kanë theksuar se ““Vdekja” e Ballkanit të hapur është e vetmja “vaki” që është pritur me gëzim duke zvogëluar ndikimin e tërthortë rus nëpërmjet Serbisë në Ballkan”.

“Sot së bashku me z. Gazment Bardhi, kryetar i grupit parlamentar të PD dhe Nënkryetar i kësaj partie, u pritem nga Kryetari i Komitetit për Çështje Europiane në Bundestag z. Anton Hofreiter, me të cilin bashkëndamë pikëpamjet tona mbi integrimin e Shqipërisë në BE, si dhe e falënderuam për mbështetjen e pakursyer që Gjermania i ka dhënë vendit tonë në këtë proces e jo vetëm gjatë 34 viteve pluralizëm.

Gjekmarkaj tha se në takim theksuan rëndësinë e procesit të Berlinit dhe mbështetjen që opozita i ka dhënë atij që në gjeneze, i shprehëm shqetësimet tona për stanjacionin e Reformës Zgjedhore e cila me patjetër duhet të reflektojë rekomandimet e OSBE – ODIHR për zgjedhje të lira e të ndershme dhe barazi të pjesëmarrësve në zgjedhje.

“Gjithashtu sot patëm mundësinë e një bashkëbisedimi të gjerë me deputetët e këtij komiteti të cilët bënë shumë pyetje për çështje të integrimit, drejtësisë, Ballkanit të Hapur dhe procesit të Berlinit, bashkimit të opozitës, marrëveshjes Rama-Meloni, emigracionit dhe shkaqeve të tij etj.”, tha Gjekmarkaj.

“Edhe në këtë takim rrëfeva sagën e trishtë të arrestimit të Liderit të Opozitës Sali Berisha pa akuzë e pa hetim, duke e shndërruar atë në një subjekt nën ligjin, duke prekur ad personam nenin 73 të Kushtetutës për ndëshkim. Opozita dhe PD e bashkuar janë realitet por ende peng i vendimeve që nuk respektojnë sensibilitetin shoqëror i cili pret sa më shpejt nga ata një vendim.

“Vdekja” e Ballkanit të hapur është e vetmja “vaki” që është pritur me gëzim duke zvogëluar ndikimin e tërthortë rus nëpërmjet Serbisë në Ballkan. U shpjeguam gjitha hallkat, ngecjet dhe vonesat e Reformës në Drejtësi. Po ashtu ritheksuam nevojën e rikthimit të misionit faktmbledhës të Bundestagut gjatë vitit elektoral në Shqipëri”, përfundon Gjekmarkaj./ata