Kryeministri Edi Rama tha sot se 50% e detyrave për Shqipërinë të lëna nga Bashkimi Europian, pas procesit “Screening”, janë detyra që lidhen me sistemin e drejtësisë.

Rama nga Kotorri, Mali i Zi, ku mori pjesë në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësues të BE, për planin e rritjes, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët tha se sot korrupsioni në Shqipëri është një fenomen shqetësues. Sipas tij, kjo është dhe arsyeja e hartimit nga mazhoranca të rezolutës, që lidhet me mirëqeverisjen dhe antikorrupsionin, zbatimi i të cilës do të mundësojë edhe anëtarësimin në BE.

“Unë nuk thashë gangrenë, por thashë se është një fenomen shqetësues. Ato reforma që unë prezantova janë reforma që kërkohen edhe për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, tha Rama.

“Kam dëgjuar shumë interpretimet të tipit, që pse tani pas 11 vitesh u kujtua Edi Rama të reformojë administratën, ndërkohë që kjo është një mënyrë e të parit dritëshkurtër, pikërisht, sepse në këto 11 vite, që s’janë bërë ende, pasi bëhen në tetor ekzaktësisht, kemi bërë gjithë ato që kemi bërë, kemi hapur dhe negociatat”, theksoi Rama.

Sipas tij, “po të lexosh udhërrëfyesin e shtetit të së drejtës të miratuar dhe dakordësuar me BE, po të shikosh raportin e BE nga diagnoza e procesit screening, më shumë se 50% e detyrave për Shqipërinë janë detyra që lidhen me sistemin e drejtësisë. Pra të gjitha këto së bashku do të bëjnë të mundur që ne të jemi anëtarë të BE”, tha Rama.

“Ndërsa, Plani i ri i Rritjes lidhet specifikisht me reforma dhe masa të caktuara, që janë dakordësuar. I kemi vendosur në tavolinë, cilat do të jenë, kur do të bëhen dhe ata do të ndjekin në rrugë e sipër nëse ne do t’i bëjmë, dhe do t’i bëjmë në afat. Jam i bindur që do t’i bëjmë në afat. S’ka asnjë arsye për të mos i bërë. Ndërkohë, përkundër kësaj, do të fitojmë ato pjesë të integrimit të plotë sipas atyre hapësirave, pra do të bëhemi anëtarë të BE në ato hapësira, dhe nga ana tjetër, do të marrim dhe fondet atje”, theksoi Rama.

Kryeministri u pyet lidhur me një nga çështjet për të cilat u akuzua shumë pasi prezantoi platformën antikorrupsion, këtë reformë të madhe, se donte të kapte drejtësinë, donte të ndryshonte SPAK-un.

“Ky është muhabet kot, sepse e para një herë, në rast se do të imagjinohej diçka e tillë ajo do duhet të kalonte përmes ndryshimesh të Kushtetutës. E para!

E dyta, si mundemi ne dhe si mundem unë që të kem një synim të tillë kur faktikisht isha unë me Partinë Socialiste që i dhamë jetë SPAK-ut dhe që i japim sot mbështetjen pa ekuivok dhe deri më sot nuk di të kemi hapur ndonjëherë gojën për të komentuar veprimtarinë e SPAK-ut edhe pse si çdo veprimtari tjetër e çdo institucioni tjetër, ka problemet e veta.

Kjo është një mënyrë për ta zvogëluar në perimetrin e gotës së furtunave të politikës së ditës një gjë aq të madhe, të rëndësishme sa ç’është tema e një dallge të re reformimi, saqë nuk ia vlen fare të humbasim kohë për këtë”, u shpreh Rama./ata