Kanë nisur kremtimet dhe përgatitjet për Ditën Ndërkombëtare të Muzeve e cila është më 18 maj dhe synon të tërheqë më shumë vëmendje ndaj këtyre institucioneve të artit, kulturës e trashëgimisë.

Me këtë rast, ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, publikoi në rrjetet sociale një listë institucioneve ku do të ketë aktivitete mbrëmjen e nesërme.

“Nata e Muzeve”, 18 maj, në një mbrëmje plot ngjyra dhe muzikë së bashku me Universitetin e Arteve Tiranë dhe me përkrahjen e Bashkive Shkodër, Durrës, Krujë, Korçë, Fier dhe Berat”, shkroi ministri Gonxhja dhe më pas renditi institucionet e angazhuara: Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Krujë; Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, Korçë; Muzeun Kombëtar Ikonografik “Onufri”, Berat; Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, Shkodër; Kullën Veneciane, Durrës; Muzeun Arkeologjik Apoloni; Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, Tiranë.

Ndryshe nga ditët e tjera të vitit, më 18 maj, muzetë do të rrinë të hapura në pritje të vizitorëve deri në orën 22:00 dhe hyrja do të jetë falas./ata