Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, në vijim të turit të inspektimeve në plazhet e vendit, zhvilloi një komunikim të hapur me operatorët turistikë, përfaqësues të hoteleve, restoranteve e bizneseve që ofrojnë shërbime në turizëm.
Kumbaro foli për organizimin estetik të territorit në një koncept më të gjerë sesa subjektet e veçuara private, duke kërkuar nga përfaqësuesit e sektorit privat të bashkëpunojnë për një kartolinë të denjë turistike të Himarës.
“Secili nga ju territorin e vet e ka të pastër, të zbukuruar, me gjelbërim, por çfarë ndodh më tutje? Nëse do të kemi një bashkëpunim dhe koordinim me njëri-tjetrin, edhe atje ku ka hapësira private të braktisura, është detyra jonë, për të pastruar, sistemuar e rregulluar gardhet. Fondi Shqiptar i Zhvillimit po përgatit një paketë gardhesh të bukura për të ndarë hapësirat private nga hapësirat publike dhe për të zbukuruar pamjen”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Më tutje, ministrja u ndal te siguria në plazhe e në ujë, si prioritet për mbarëvajtjen e këtij sezoni turistik veror, dhe e quajti praninë e vrojtuesit të plazheve po aq të rëndësishme, sa ajo e shërbimeve të tjera në turizëm.
“Ju e quani të domosdoshme që të keni kamerier, e quani të domosdoshme që të keni kuzhinier. E keni të domosdoshme të keni pastruesin. Do ta quani po kaq të domosdoshme të keni dhe vrojtuesin e plazhit. Do të forcohen dhe kontrollet me qëllim që të dalim të gjithë faqebardhë nga një sfidë, dhe më besoni ky vit, do të jetë prova e zjarrit për turizmin shqiptar. Se një vend i vogël me 2,8 milionë banorë, me 28.000 kilometra katrorë, përveç 2,8 milionëve të vet do të ketë edhe 14 milionë të tjerë që do të hyjnë e do të dalin në territorin tonë dhe Himara është një nga destinacionet ku të gjithë duan të vijnë, prandaj sfida është e përbashkët, bashkë do ta përballojmë”, vazhdoj ministrja Kumbaro.
Bashkia e Himarës edhe këtë vit do të ketë një operator shtesë pastrimi përmes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, për të përballuar flukset e pikut të sezonit./ata