Treguesit fiskalë të konsoliduar për 4-mujorin e parë të vitit 2024, të publikuar nga Ministria e Financave, konfirmojnë një ecuri të mirë të ekonomisë, ku vihet re se gjatë muajit prill ka një përshpejtim në realizimin e investimeve publike, si edhe një trend rritës sa i përket të ardhurave të arkëtuara, si duke e krahasuar me planin e të njëjtës periudhë, ashtu edhe e krahasuar me periudhën 4-mujore të vitit 2023.
Të ardhurat totale, për periudhën 4-mujore arritën në rreth 231.64 miliardë lekë, ose 103.5% e planit të së njëjtës periudhë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, u mblodhën rreth 24.1 miliardë lekë më shumë, ose 11.6% më shumë se katërmujori i vitit 2023.
Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe kontributet e mbledhura nga DPT), arritën në 198.4 miliardë lekë, 18.5 miliardë ose 10.3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, si dhe 4 miliardë ose 2.1% më shumë se plani 4-mujor për vitin 2024.
Shpenzimet e përgjithshme publike për periudhën 4 mujore të vitit 2024 arritën në rreth 185.8 miliardë lekë, me një realizim në masën 96.8 % të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, ky zë ka rezultuar 7.4 % më i lartë ose rreth 12.76 miliardë lekë më shumë.
Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme u realizuan në masën 25.2 % të planit vjetor sipas buxhetit fillestar dhe 25 % të planit vjetor sipas Aktit Normativ nr. 1 datë 21.02.2024 (AN nr. 1).
Shpenzimet korente rezultuan në rreth 170.3 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 10 % më i lartë ose rreth 15.4 miliardë lekë më shumë.
Shpenzimet kapitale shënuan përshpejtim gjatë muajit prill dhe për periudhën 4-mujore të vitit 2024 kanë një realizim në masën rreth 15.5 miliardë lekë ose 96.4 % në raport me fondet e planifikuara për këtë periudhë./ata