Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se kosto për kilometër për ndërtimin e autostradës Thumanë-Kashar është vetëm 10.6 milionë euro.
Gjatë diskutimit të projektbuxhetit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Balluku i quajti shifrat e dhëna nga opozita si abuzive dhe mashtrime, ndërsa hodhi poshtë edhe akuzat se kostoja për km në Shqipëri është më e larta në rajon.
“Maqedonia e Veriut e ka koston për km në segmentet pjesë të Korridorit të VIII 11.8 milionë euro. Mali i Zi e ka koston për km në segmentet e autostradës Adriatiko-Joniane 24 milionë euro. Bosnjë Hercegovina e ka koston për km 30.40 milionë euro”, tha ajo.
Ndërsa Shqipëria, vijoi Balluku, e ka koston për km në autostradën Thumanë-Kashar 10.6 km.
“Autostrada Thumanë-Kashar, me gjatësi 21. 04 km, ndërtimi i së cilës kushtoi 224 milionë euro e ka koston 10.6 milionë euro për km”, deklaroi ajo.
Zv/kryeministrja po ashtu hodhi poshtë edhe akuzat për shtim të kostos për përfundimin e Rrugës së Arbrit.
“Rruga e Arbrit është një kontratë me çelësa në dorë dhe për të nuk është shtuar asnjë qindarkë“, deklaroi Balluku.
Gjatë fjalës së tij në Komision, deputeti i PD-së, Edmond Spaho, foli për kosto të lartë të ndërtimit të rrugëve.
“Jo më kot themi “rrugë të florinjta”, pasi rruga Thumanë-Kashar vetëm 21 km, kushton 450 milionë euro. Kosto për km është 20 milionë euro. E bëtë tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogorasë, e shpallët kompaninë fituese, e anuluat, e ribëtë dhe shtuat koston me 50 milionë euro”, tha Spaho.
Zv/kryeministrja Balluku i kërkoi deputetit Spaho të tërhiqej nga deklaratat e tij, pasi sipas saj, shifrat nuk janë të vërteta dhe se do të bënte kallëzim penal./ata