Gazetari investigativ Artan Hoxha në studion e ‘Të Paekspozuarit’ në MCN TV ka komentuar lidhur me ngjarjen e rëndë të vdekjes së 22-vjeçares keniane.

Ai tha se është një ngjarje kriminale e cila ka sjellë këtë pasojë, vdekjen e një të reje e cila kishte ardhur në vendin tonë për një jetë më të mirë. Sipas tij, ngjarja në momentin e parë s’ka pasur pasojë vdekjen dhe kjo bëri që media të mos i kushtonte shumë rëndësi.

 

"Vajza ka punuar te kazinoja te ish hotel Sheraton dhe pastaj ka kaluar te kazinoja tjetër e po të njëjtit rrjet, Apex. Është një ngjarje kriminale e cila ka sjellë këtë pasojë, që kjo vajzë që punonte në mënyrë të rregullt në kazino fillimisht është plagosur rëndë dhe pastaj ka humbur jetën në vendin e saj në Kenia. Në momentin kur ka ndodhur ngjarja ka qenë fillimi i muajit gusht. Ngjarja në momentin e parë s’ka pasur pasojë vdekjen dhe kjo bëri që media të mos i kushtonte shumë rëndësi. Në momentin që ka ndodhur kjo ngjarje paralelisht ka ndodhur dhe një tjetër ngjarje që i mori vëmendjen."

 

Më tej ai shtoi se kjo ngjarje në fillim ka kaluar në heshtje, duke shtruar dhe pyetjen nëse ka pasur vullnet për ta hetuar këtë ngjarje? Ai theksoi se ngjarja u bë e madhe për të thënë që është implikuar aksioneri i kazinosë tjetër.

 

"Të dy aksionerët kryesorë dalin me foto të kryeministrit. Problemi konkret është se në momentin që konstatohet ngjarja veprimet hetimore të policisë nëse do kryheshin më shpejt do kishin dhënë rezultat më të mirë dhe s’kishim pse të arrestonim shoferin pas kaq kohësh për të shfryrë ngjarjen. Pas 48 orësh shoferi u la i lirë. Sot kjo ngjarje ka mbetur pa autor, jemi në të njëjtat kushte si në momentin kur ajo ngjarje ka ndodhur. Sot e kësaj dite se dimë, u hodh nga ballkoni, e hodhën nga ballkoni, s’dimë asgjë sepse prokuroria nuk na ka dhënë asnjë përgjigje. Po kur kemi të bëjmë me ngjarje që kanë të bëjnë me kompani të mëdha oficerët e policisë gjyqësore mundohen që ta kalojnë pa zhurmë në këto raste, kur kemi të përfshirë kompani të mëdha me personazhe të rëndësishëm."