Gjelosh Krasniqi, autor i dyshuar për vrasjen e Briken Sanaj, ngjarje e ndodhur vitin e kaluar te zona e “Kodrës së Diellit” në Tiranë, është arrestuar të martën në mbrëmje në Pejë.

 

Po ashtu, është arrestuar edhe personi i cili e kishte ndihmuar që të strehohej në një fshat të Pejës.

 

Lajmin e ka bërë të ditur Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë.

 

“Mbrëmë nga puna operative është arritur të arrestohet një person (me urdhër arrest ndërkombëtar) i cili dyshohet se ka qenë i përshirë vitin e kaluar për një vrasje në Shqipëri. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari Gj.K., është ndaluar për 48 orë, ndërsa brenda afatit ligjor ndaj tij do parashtrohet edhe kërkesa për caktimin e paraburgimit. Për procedurat e mëtutjeshme rreth këtij rasti ju lutem i drejtoheni Ministrisë së Drejtësisë”, ka thënë Nikçi.

 

“Po ashtu është arrestuar edhe personi i cili e ka ndihmuar që të strehohet në një fshat të Pejës. I njëjti është ndaluar për 48 orë”, ka shtuar ai.

 

Kujtojmë se ekzekutimi i Briken Sanaj ndodhi mbrëmjen e 30 tetorit 2022, ku viktima 39-vjeçar sapo ishte kthyer nga një dasmë në Lezhë.

 

Para se të ndodhte atentati, Sanaj ka qenë duke mbyllur makinën te garazhi i pallatit ku jetonte. Në momentin që ai ka zbritur nga makina, u qëllua për vdekje nga një distancë e afërt nga një makinë në lëvizje.

 

Makina tip “Benz” që përdorën autorët u gjet e djegur pas ngjarjes, në Qafë Kashar, ndërsa brenda saj u gjet një armë tip kallashnikov. Makina ishte me targa të vjedhura në Tiranë, vetëm pak ditë para se të ndodhte atentati. Ngjarja dyshohet se ndodhi për hakmarrje.