Ushtarët turq që shërbejnë në kuadër të Forcës Paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) vazhdojnë aktivitetet e tyre për të garantuar sigurinë në vend.

Në kuadër të turit mediatik të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Türkiyes, një grup gazetarësh nga Türkiye vëzhguan aktivitetin patrullues të komandove turke në pikën zero të kufirit Kosovë-Serbi dhe kapacitetin e KFOR-it Turk për të ndërhyrë në tensione të mundshme që mund të lindin.

Komandot turke, të cilët arritën në Kosovë në fund të shkurtit si njësi rezervë me kërkesë të NATO-s pas tensioneve në veri të Kosovës gjatë vitit 2023, përfunduan përgatitjet e tyre në kazermën “Sulltan Murat” në Prizren ku ishin stacionuar dhe më pas shkuan në pikën zero të kufirit Kosovë-Serbi për të kryer aktivitete patrullimi.

Në patrullimin në pikën kufitare u vu re se komandot turq bënin roje 24/7 në këtë rajon kufitar malor dhe po punonin për të rritur sigurinë.

Komandanti i batalionit të komandove turq, duke folur për aktivitetet e tij para gazetarëve, tha se të gjitha komunitetet në Kosovë besojnë në punën e tyre.

“Ne jemi të vendosur 100 metra në anën e Kosovës ndërmjet vijës kufitare Serbi-Kosovë. Arsyeja pse na është dhënë detyra këtu është për shkak të vetëbesimit të Forcave tona të Armatosura Turke, aftësive të tyre superiore në aspektin e armatimit, pajisjeve dhe personelit, si dhe besimit të të gjithë elementëve që jetojnë në Kosovë dhe Serbi në armatimin turk”, theksoi ai.

- "Ushtarët tanë po japin një kontribut profesional që do të bëjë ndryshimin këtu”

Gazetarët gjithashtu u takuan me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, në selinë qendrore të KFOR-it në Prishtinë dhe morën informacione për aktivitetet e misionit shumëkombësh.

Në deklaratën e tij këtu, gjeneralmajor Ulutaş tha se ngjarjet në Kosovë të vitit të kaluar kanë ndikuar negativisht në situatën e sigurisë në rajon.

Ulutaş tha se NATO-ja dërgoi 1 mijë trupa shtesë në Kosovë pas këtyre tensioneve.

“Siç e dini, batalioni ynë i komandove nga Türkiye po shërben aktualisht në zonën operacionale si njësi rezervë. Në rastin e batalionit tonë turk, ushtarët tanë po japin një kontribut që do të bëjë ndryshimin këtu në një mënyrë profesionale, shumë të trajnuar, si dhe instalimet dhe pajisjet e tyre gjithashtu na japin besim në këtë kuptim”, tha ai.

Nga ana tjetër, ushtarët turq që shërbejnë në kampin Bondsteel të KFOR-it në lindje të vendit vazhdojnë aktivitetet e tyre stërvitore për të qenë të gatshëm për të gjithë skenarët që mund të ndodhin në vend. Ushtarët kryejnë stërvitje të rregullta me elementë të tjerë të sigurisë në vend.

Duke folur për Anadolu pas stërvitjes, një nga këta ushtarë deklaroi se, “Jemi në detyrën tonë për të siguruar paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe Kosovë. Si Forca të Armatosura Turke, ne jemi gjithmonë të gatshëm për detyrë brenda dhe jashtë vendit”.

- KFOR-i ka shtuar aktivitetet e tij patrulluese

Dhjetëra ushtarë të KFOR-it u plagosën gjatë tensioneve në veri të Kosovës në maj-qershor 2023. Kulmi i tensioneve ndodhi më 24 shtator 2023 në fshatin Banjska të Zveçanit, ku një zyrtar policor i Kosovës dhe tre sulmues humbën jetën në përleshjen e armatosur midis Policisë së Kosovës dhe një grupi të cilin autoritetet kosovare e cilësuan si terrorist.

Në përputhje me vendimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin, KFOR-i, i cili filloi detyrën e tij në Kosovë më 12 qershor 1999, ka më shumë se 4.500 ushtarë ndërkombëtar nga 28 vende, duke përfshirë 23 anëtarë të NATO-s dhe pesë vende jo-anëtare, partnere me NATO-n.

Ushtarët turq kanë shërbyer në kuadër të KFOR-it në Kosovë që nga viti 1999. Türkiye mori komandën e KFOR-it për herë të parë më 10 tetor 2023 për një mandat njëvjeçar./aa