Prindërit e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi kanë shkuar në Hagë, për ta vizituar djalin e tyre, i cili po mbahet në qendrën e paraburgimit të Gjykatës Speciale atje.
Me Hashim Thaçin, prindërit do të kenë mundësi të çmallen deri në orën 16:00.
Thaçi ka hyrë në vitin e katërt të qëndrimit në paraburgimit. Atje u dërgua që nga nëntori i vitit 2020, së bashku me tre ish-udhëheqës të tjerë politikë e ushtarakë të UÇK-së si Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Arrestimet kishin ardhur pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale kishte konfirmuar aktakuzën ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve./Shqiptarja