Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, ka folur lidhur me integrimin e Shqipërisë, teksa është shprehur se rruga për integrimin europian të Shqipërisë kalon nga Greqia.

Në një intervistë të dhënë për mediat maqedonase, teksa foli edhe për takimin që bëri kryeministri Edi Rama me shqiptarët në Athinë pak ditë më parë, ai u shpreh se vizita e kryeministrit ishte private dhe qeveria nuk kishte pse të mos e lejonte.  

“Vizita e Edi Ramës këtu ishte private, ashtu si fjalimet  parazgjedhore që ai ka planifikuar tashmë në vende të tjera, në funksion të zgjedhjeve në Shqipëri. Qeveria nuk kishte arsye ta ndalonte.  Kryeministri i Shqipërisë nuk mund të anashkalojë kushtet për anëtarësimin e vendit të tij në BE. Së pari, respektimin e shtetit ligjor, i cili është parashikuar në nenin 2 të Traktatit të Bashkimit Evropian. Me paraburgimin e paligjshëm të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredis Beleri, Shqipëria shkel vlerën e shtetit ligjor.

Kjo nuk është vetëm një çështje dypalëshe, por kryesisht një çështje evropiane. Dhe duke qenë se rruga e anëtarësimit të Shqipërisë varet nga respektimi i të drejtave themelore të minoritetit grek, ajo kalon në mënyrë të pashmangshme nga vendi ynë”, tha ai./Shqiptarja